Supa e Ngrohtë për Shëndetin e Stomakut dhe Rigjallërimin e Organizmit

1.8k 0

Kjo është një recetë me shije fantastike, që jo vetëm të kënaq nepsin dhe oreksin me shijen e saj por rigjallëron organizmin dhe nxit shëndetin e mirë të stomakut gjithashtu.

Kjo pjatë është e pasur në vlera ushqyese dhe shoqërohet në mënyrë të mrekullueshme me sallata të freskëta të stinës apo edhe bukë të thekur.

Përgatitet me përbërës të thjeshtë që me siguri çdo amvisë i ka në kuzhinën e saj.

Kjo supë është ideale për t’u përgatitur në çdo kohë dhe ja vlen të konsumohet sa më shpesh si për shije ashtu edhe për shëndet të mirë.

Përgatitja e Supës që Rigjallëron Organizmin

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona) 

4-5 thela mish pule (kjo recetë mund të përgatitet edhe me mish viçi)

1.5 litra ujë

4-5 lugë gjelle oriz

2-3 lugë gjelle vaj ulliri

Lëngu i një kokrre limoni

Kripë

Majdanoz ose koper

Piper i zi

Përgatitja 

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të kaurdisni me vaj ulliri mishin e pulës dhe më pas ta zieni derisa sa të zbutet mirë në 1.5 litra ujë me kripë, në mënyrë që lëngu të marrë të gjitha vlerat e duhura të mishit.

Mishin e pulës pasi është zierë plotësisht e largojmë nga tenxherja, i largojmë kockat, e ndajmë mishin në fije dhe e lëmë mënjanë.

Në lëngun e mishit hedhim orizin e pastruar e të larë dhe e lëmë të zjejë në zjarr të ngadalshëm derisa të zbutet plotësisht.

Kur supa është gati e heqim nga zjarri dhe shtojmë aty mishin e ndarë në fije, e lëmë të ftohet.  Në momentin që është ende e vakët, nëse dëshironi mund ta prisni me vezë.

Për këtë, AgroWeb.org ju këshillon që në një tas prej porcelani të hidhni vetëm të verdhën e një kokërr veze, rriheni mirë dhe më pas shtoni lëngun e limonit.

Këtë masë e shtojmë pak nga pak, tek supa duke e trazuar njëkohësisht që në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.

Vendoseni supën edhe njëherë në zjarr duke e trazuar për 2-3 minuta. Serviret e ngrohtë  dhe sipas dëshirës spërkatet me pak gjalpë të freskët të tretur, majdanoz ose koper të grirë shumë hollë si dhe piper i zi./AgroWeb.org