Supë e Ngrohtë për Forcimin e Organizmin – Përgatitet Lehtë dhe Shpejtë

11 0

Kuzhina tradicionale shqiptare është e pasur me receta ku përbërësi kryesor janë patatet.

Të pjekura në furrë me mishra të ndryshëm, të përgatitura në formën e qofteve, puresë, pjesë e gjellëve e suprave të ndryshme pa dyshim shija e tyre në çdo gatim është fantastike po aq sa edhe vlerat e tyre ushqyese.

Të përgatitura në formën e supës krem, ato krijojnë një pjatë të lehtë dhe të shëndetshme ideale për një vakt dreke.

Një supë shijeplotë e cila kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me më të mirat gatime të kuzhinës shqiptare siç janë byrekët e ngrohtë, turshitë e zahiretë e shijshme të nënave dhe gjysheve por sigurisht edhe me sallata të freskëta të stinës.

Më poshtë, AgroWeb.org u përcjell recetën e supës fantastike krem me patate, e cila mund të përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është një mënyrë e shijshme dhe e shëndetshme për t’ia shërbyer gjithë familjes.

Përgatitja e Supës   

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona) 

4 thela mishi viçi ose qengji

1 l lëng mishi

1-2 karrota

2-3 lugë gjelle salcë të bardhë kosi

1 gotë uji me qumësht

500 gr patate

1 kokërr qepë

Kripë

Përgatitja 

Si fillim vendosim mishin në tenxhere me ujë mjaftueshëm pasi lëngun e përftuar do e përdorim për përgatitjen e supës.

Hidhini kripë dhe lëreni mishin të ziejë derisa të zbutet, më pas largojini thelat nga tenxherja, ndajeni mishin në copa të vogla dhe kalojini në tigan për t’i skuqur lehtë me pak gjalpë dhe lërini mënjanë.

Qërojmë patatet me kujdes, i pastrojmë më ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tenxhere me lëngun e mishit që të zjejnë.

Pasi të kenë marrë një valë, shtojmë qepët e grira dhe karrotat e grira.

I zjejmë derisa të zbuten, i kalojmë në kullesë dhe i shtojmë pak lëng tjetër nëse ka tepëruar .

Purenë e bashkojmë me salcë të bardhë dhe e përzjejmë në mënyrë që të mos ketë kokrra ose e kalojmë në mikser. I hedhim kripë dhe e zjejmë derisa të valojë.

Pastaj supën e rregullojmë me të verdhë veze të përzjerë me qumësht të nxehtë dhe gjalpë të freskët.

Kur shërbehet i hidhen sipër copat mishit të skuqur me pak gjalpë dhe sipër i spërkatet majdanoz i grirë hollë. /AgroWeb.org