Suxhuku i Gjakovës – Krenaria e Cilësisë Kosovare në Evropë dhe Amerikë

2.5k 0

Produktet autentike shqiptare po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e kujtdo që adhuron ushqimet me shije të mirë dhe unike.

I tillë është padyshim suxhuku i Gjakovës. Aroma fantastike, shija e plotë dhe pikante e kanë bërë atë një nga produktet më të preferuara dhe më popullore në trevat e shqiptarëve.

Si një mall i veçantë, tradicional i Kosovës, e konkretisht i Gjakovës, ky produkt është ndër më të kërkuarit në tregjet evropiane.

Konsumatorët dhe restorantet e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë e deri Anglisë kanë shndërruar suxhukun e famshëm të Gjakovës në një specialitet  në tryezat apo menutë e tyre.

Prodhues të suxhukut në Kosovë thonë për AgroWeb.org se interesi i tregjeve të huaja për këtë produkt po njeh gjithnjë e më shumë rritje.

“Kemi kërkesa nga disa restorante në Zvicër dhe Gjermani. Gjithashtu kemi krijuar lidhje me tregtarë në Angli ashtu si edhe Austri e disa shtete të tjera.

Si fillim sasitë që po eksportojmë janë mesatare, por me kënaqësi po konstatojmë se kërkesat janë rritje.” shprehet një prodhues për AgroWeb.org.

Burimet doganore të Zvicrës dhe Gjermanisë e rendisin suxhukun e Kosovës si një nga mallrat më të kontrabanduara në aeroportet dhe pikat e tyre doganore.

Kërkesa e lartë e komuniteteve shqiptare që jetojnë në Evropë, por edhe kërkesat në rritje nga vetë evropianët e kanë bërë këtë produkt një mall tejet të dëshiruar.

Burimet e AgroWeb.org raportojnë për porosi dhe kërkesa në rritje edhe nga tregje të largëta si SHBA dhe Australia.

Kur Shija e Mirë Promovon Produktin

Si një produkt që njeh konsum të gjerë jo vetëm në mesin e ushqimeve tradicionale por edhe ushqimeve të shpejta, suxhuku është kthyer gjithashtu në një produkt promovues për kulinarinë e Kosovës.

Është vet shija fantastike elementi kryesor që po promovon këtë produkt të veçantë të kulinarisë shqiptare, e veçanërisht Kosovës.

Suxhuku i Gjakovës dhe Kosovës në tërësi nuk ka ende një reklamim apo marketing të mirëfilltë e kjo nuk e ka penguar gjithsesi të kapërcejë kufijtë drejt tryezave dhe restoranteve europiane.

Sot, ai renditet si një ndër produktet e pakta të njohura dhe të identifikuara nga tregjet dhe konsumatorët e huaj si prodhim autentik i Kosovës.

Mjeshtrit e Gjakovës dhe Receta Sekrete e Suxhukut

Është e pamundur të gjesh një shije të dytë si ajo e suxhukut të Kosovës. E kjo lidhet padyshim me mjeshtërinë në përgatitje.

Prodhues të vjetër të suxhukut në Gjakovë thonë për AgroWeb.org se është receta strikte dhe përbërësit që dallojnë shijen e këtij produkti krahasuar me çdo produkt tjetër të kësaj industrie.

Megjithëse vështirë se mund të tregojnë recetën e përgatitjes, prodhuesit e suxhukut në Gjakovë thonë me krenari se ky është një nga produktet autentike që sot po promovon Kosovën në aspektin e turizmit gastronomik.

Por pavarësisht recetës së fshehtë të mjeshtrave të Gjakovës, AgroWeb.org fton të gjithë mjeshtrat që e përgatisin këtë produkt fantastik në shtëpi të ndajnë recetën e tyre me qëllim promovimin sa më shumë të këtij produkti në gjithë trevat shqiptar e jo vetëm./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.