Të Gjithë Duan Të Ikin – Shqipëria Me Numrin Më të Lartë të Kërkesave në Botë Për Azil në BE

242 0

Edhe pse jetojnë në një vend që ka nisur rrugën drejt anëtarësimit në BE, shqiptarët duan të largohen më shumë se çdo shtet tjetër në botë.

Në 12 muajt e fundit shqiptarët kanë shënuar numrin më të lartë të azilkërkuesve për herë të parë në raport me popullsinë, duke lënë pas edhe popujt që po largohen nga lufta.

Bazuar në të dhënat që ka publikuar Eurostat mbi numrin e aplikimeve të reja në 12 muajt e fundit, popullsinë sipas Bankës Botërore dhe llogaritjeve të “Monitor”, për çdo 1000 banorë shqiptarë, 6.5 prej tyre kanë aplikuar për azil në Bashkimin Europian.

Në vend të dytë, pas Shqipërisë, për numër të lartë aplikimesh për 1000 banorë renditet Siria me 4.7 aplikime gjatë 12 muajve të fundit, nga ku azilkërkuesit largohen prej luftës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të tretët renditen gjeorgjianët, ku numri i aplikimeve për azil në 12 muajt e fundit llogaritet 3.9, pasuar nga Eritrea, ku numri i azilkërkuesve për herë të parë është 3.6 për 1000 banorë.

Iraku dhe Palestina, vende që kanë gjithashtu një numër të lartë azilkërkuesish, për 1000 Banorë kanë shënuar përkatësisht 1.2 dhe 1.1 aplikime.

Kërkesat për azil nga Shqipëria parakalojnë ato të vendeve në luftë

Kryesisht në 30 vendet me numrin më të lartë të aplikuesve bëjnë pjesë shtetet që janë në luftë dhe konflikte, disa vende afrikane dhe shtete që aktualisht po përballen me kriza të forta ekonomike, si Venezuela dhe Turqia.

Ndërsa për sa i përket numrit në vlerë absolute të azilkërkuesve për herë të parë në Bashkimin Europian, nga Shqipëria janë regjistruar në vetëm 12 muajt e fundit 18,620 aplikime, duke u renditur të shtatit nga 30 vendet e origjinës që kanë numrin më të lartë të azilkërkuesve.

Në vend të parë qëndron Siria me mbi 86 mijë aplikime, Iraku me mbi 43 mijë, Afganistani me mbi 36 mijë, Nigeria mbi 29 mijë, Pakistani mbi 25 mijë dhe Eritrea me mbi 19 mijë.

Shqipëria vijon të jetë shteti europian me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE. Sipas statistikave që ka publikuar Eurostat, në tremujorin e dytë të vitit 2018 aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azil kërkuesve në Bashkimin Europian.

Franca, destinacioni i preferuar i shqiptarëve për azil

Franca rezulton të jetë vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, me 38% të kërkesave, apo rreth 1495 aplikues.

Në vend të dytë për numër të lartë aplikuesish, ndryshe nga tremujorët e kaluar renditet Greqia, me rreth 20% të kërkesave për azil apo 800 aplikues.

Ndërsa në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë tremujorit të dytë kanë aplikuar për azil rreth 500 shqiptarë, apo 13% e totalit.

Probleme madhore me fuqinë punëtore që zvogëlohet

AgroWeb.org ngre shqetësimin se niveli i lartë i azilkërkuesve nga Shqipëria ndikon fort në tkurrjen e rritjes ekonomike në sektorë jetësorë të vendit.

Mbi gjysma e popullsisë është e angazhuar në bujqësi dhe ulja e fuqisë punëtore si pasojë e largimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë bujqësore.

Por gjithashtu mungesa e përqendrimit të vëmendjes së forcës punëtore në bujqësi sjell mungesë të investimeve afatgjata dhe të mirëfillta në sektorin me punësimin më të madh në vend./AgroWeb.org

Publikimi origjinal nga Monitor dhe ripublikuar nga Shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.