Produktet Dietike që të Bëjnë Gati për Stinën e Diellit

1.1k 0

Forma e mirë është një mision i vështirë. Kombinimi i aktivitetit fizik dhe dietës së duhur ushqimore është çelësi i një trupi të shëndetshëm dhe në formë. Sa i përket dietës, është e rëndësishme të zgjedhim ato ushqime që përmbajnë fibra për të luftuar atë fryrjen e bezdisshme, antioksidantë për të pastruar organizmin, dhe proteina për të mbajtur një metabolizëm të shëndetshëm. Gjeni më poshtë nga AgroWeb, listën e produkteve që janë aleati yt në misionin e të paturit një formë të mirë trupore dhe shëndetësore.

Bajamet

Këto fruta arrore tepër të shijshme janë të pasura me fibra, proteina dhe vitaminë E, e cila është një antioksidant i fuqishëm. Bajamet janë gjithashtu një burim i mirë i magnezit, një mineral i nevojshëm për organizmin për prodhimin e energjisë, ruajtjen e muskujve dhe rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Bajamet njihen edhe për aftësinë magjikë në bllokimin e kalorive dhe nuk lejojnë në formimin e dhjamit. 23 bajame në ditë kanë 160 kalori.

Vezët

E vështirë të gjesh një burim kaq perfekt proteinash. Veza gëzon respektin e dietologëve për shkak të ekuilibrit të aminoacideve. Studimet kanë treguar që kur njerëzit hanë vezë në mëngjes, ndihen të ngopur dhe janë më pak të uritur gjatë ditës, ndërsa ata që hanë karbohidrate ndihen të uritur shumë më shpejt.

Soja

Proteinat, fibrat dhe antioksidantët i gjeni me bollëk tek soja. Një studim i Journal of American College of Nutrition shpjegon që njerëzit që janë mbipeshë dhe konsumojnë qumësht soje ose ushqime me këtë qumësht, humbasin më shpejt peshë se sa ata që konsumojnë ushqime me qumështin tradicional. 25 gramë proteinë soje është doza e duhur ditore.

Mollët
Një studim i publikuar në revistën Nutrition zbuloi që femrat mbi peshë që konsumonin tre mollë ose dardha në ditë për tre muaj me rradhë humbisnin më shumë në peshë se sa gratë e tjera që konsumonin tërshërë në vend të frutave. Sipas të dhënave, një kokërr mollë ka pesë gram fibër dhe përmban 85% ujë si rrjedhojë të bën të ndihesh më e ngopur. Molla minimizon dëmet e shkaktuara nga kolesteroli dhe përmirëson shëndetin e mushkërive.

Frutat e pyllit

Frutat e pyllit janë miku më i mirë i çdo femre apo mashkulli në formë. Ato janë të mbushura me fibër. Sipas ekspertëve sa më shumë fibër të konsumosh në ditë (idealja do të ishte 25-35 gramë në ditë) aq më pak kalori do të përthithësh nga ushqimet e tjera që konsumon në ditë. Fibra në fakt ngre ngracka në trup për ato copëza të dëmshme ushqimi dhe kalori dhe i përcjell jashtë para se të treten plotësisht. Frutat e pyllit janë të pasura me antioksidantë, që të mbrojnë nga sëmundjet kronike si kanceri por edhe të ndihmojnë gjatë ushtrimeve fizike, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe punën e muskujve. Doza e nevojshme ditore janë gjysëm filxhani me fruta pylli (luleshtrydhe, boronicë mjedër etj), që përmban 30 kalori.

Perimet e gjelbra

Këto perime, siç është spinaqi janë të pasur me karotenoidë që parandalojnë tumoret dhe të mbajnë në formë. Ato kanë pak kalori. Një filxhan me spinaq përmban 40 kalori. Një filxhan me brokoli përmban 55 kalori dhe me të plotëson edhe 20% të nevojës ditore për fibër. Shumë prej këtyre perimeve janë një burim I pasur kalciumi që ushqen muskujt dhe e bën aktivitetin fizik më efikas.

Kosi

Njerëzit që marrin dozat e kalciumit më tepër nga kosi se sa nga burime të tjera ushqimore, humbasin më shumë në peshë sidomos në zonën e barkut, sipas një studimi të publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Obezitetit. Bakteret probiotike që gjenden tek kosi mbajnë sistemin tretës të shëndetshëm, që do të thotë ke më pak fryrje dhe një sistem tretës më të mirë. Sugjerohet konsumimi i deri në tre filxhanëve me kos me pak yndyrë ose pa yndyrë. Sipas preferencës mund t’i shtoni edhe fruta për një dozë të mirë fibrash.

Supa me perime

Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë zbuluan që njerëzit që konsumonin supë me perime dy herë në ditë ishin më të suksesshëm në humbjen e peshës se sa ata që konsumonin të njëjtën sasi kalorish në ushqime të tjera. Njerëzit që konsumonin supë raportuan humbjen e të paktën 7 kilogramëve pas një viti.

Salmoni

Frutat e detit dhe peshku sidomos salmoni, toni dhe sardelet janë një burim i pasur i acideve yndyrore Omega 3 që djegin yndyrën dhe e bëjnë metabolizmin më efikas. Njerëzit mbipeshë që konsumojnë peshk çdo ditë kanë një tretje të ushqimit më të ngadaltë e si rrjedhojë ndihen më të ngopur. Ushqimet e detit janë gjithashtu një burim fantastik proteinash.

Kinoa

Ke dëgjuar ndonjëherë për kinoan? Gjysëm filxhani me kuinoa përmban 5 gramë fibër dhe 11 gramë proteina. Kinoa gatuhet si çdo drith tjetër. Ky lloj drithi ka shijen e arrës dhe është krokante në gatim./AgroWeb/