Pite të Mbushura me Spinaq dhe Djathë – Të Lehta e të Shpejta

2.3k 0

Sapo përmenden pitet nuk ka aspak nevojë t’ju shpjegosh shijen, pasi të gjitha trevat kur jetojnë Shqiptarë i njohin e përdorin.

Pitet tradicionale shoqërohen me djathë, mjaltë apo reçel dhe janë perfekte për të kaluar mëngjeset duke marrë energji dhe shije.

Gjithsesi në recetën e sotme AgroWeb.org, ju sugjerojmë të provoni pitet e mrekullueshme të mbushura me spinaq.

Për të pasuruar shijen e për t’i konsumuar ato në një vakt të plotë, mjafton t’i përgatisni me spinaq.

Kjo mënyrë do të zëvendësojë byrekun tradicional, pasi është më e thjeshtë dhe e shpejtë.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në vetëm disa minuta.

Përbërësit për brumi

  • Një gotë ujë i vakët
  • 7 g maja të thatë
  • 390 gr miell
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • 30 g kos
  • kripë

Për mbushjen

  • 200 gr spinaq i pastruar
  • 150 gr djathë i bardhë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me zierjen e spinaqit të prerë në fije të holla për 10-15 minuta.

Ndërkohë në një tas hidhni ujin e vakët dhe aty përzieni majanë e thatë.

Lëreni derisa ajo të aktivizohet dhe në sipërfaqen e tasit të krijohet një ajkë.

Nga ana tjetër miellin e keni përzierë me kripën dhe keni hapur në mes një gropëz.

Aty hidhni ujin me majanë, kosin dhe vajin.

Punojeni me duar derisa të formoni një brumë po aq të fortë sa dhe ai i byrekut.

AgroWeb.org ju këshillon që ta lini të mbuluar për 20-30 minuta.

Më pas ndajeni brumin në katër kuleçë të vegjël.

Hapini kulaçët me ndihmën e një petësi në sipërfaqen e spërkatur me miell të tavolinës.

Mbushini pitet me spinaqin e zierë dhe djathë të bardhë të thërrmuar.

Mbyllini pitet duke i shtypur lehtë anët e saj me një pirun ose thjeshtë me dorë.

Vendosni një tigan mesatar në zjarr, lyejeni me vaj dhe kur të jetë i nxehtë vendosni piten të skuqet.

Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak gjalpë brenda, apo duke e lyer pak nga jashtë piten për më shumë shije krokante.

Lëreni piten tuaj të gatuhet mirë dhe më pas vendoseni në pjatë, gati për ta shërbyer.

Të gjithë procesin e shpjeguar më sipër, bëjeni me të gjithë masën e brumit dhe spinaqit në mënyrë që të formoni disa pite.

Kur të keni mbaruar, shërbejini pitet tuaja menjëherë të ngrohta, duke i shoqëruar me pak kos të freskët./AgroWeb.org