Birjam Peshkopie – Shije Unike Nga Sofra Shqiptare

3k 0

Birjami është një gatim i hershëm tradicional shqiptar, ku zona në të cilën përgatitja e tij është e kudo gjendur është Peshkopia.

Receta e tij është trashëguar brez pas brezi nga gjyshet dhe nënat e kësaj zone, të cilat në raste të veçanta gëzimesh familjare apo në tryeza miqsh e mysafirësh përgatisnin përherë këtë tavë fantastike  në shenjë mikpritjeje.

Përgatitja e Birjamit është e thjeshtë dhe përbërësit e kësaj tave janë të pakët por të plotë. Mish qengji apo viçi, oriz, vaj ulliri dhe qepë të njoma.

Një shije fantastike sidomos tani në ditët e ftohta të dimrit. Birjami shoqërohet në mënyrë fantastike me turshi të ndryshme, speca me gjizë, sallata të stinës, djathra të ndryshëm etj.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e Birjamit, të gatuar brez pas brezi në Peshkopi.

Përgatitja e Birjamit të Peshkopisë në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për 4 – 5 persona)

  • Gjysmë kile mish viçi ose qengji i ndarë në thela
  • 3-4 qepë të njoma (vetëm pjesa e bardhë)
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • Dy filxhanë çaji me oriz
  • 6 filxhanë çaji lëng mishi
  • Kripë
  • Nenexhik

Përgatitja

Si fillim kujdesemi që mishin ta thajmë nga lëngjet.

Më pas, në një tenxhere skuqim me pak vaj ulliri thelat e mishit nga të dyja anët, më pas hedhim kripë dhe ujë dhe e lëmë të zjejë.

Lëngu i mishit do të na duhet për gatimin e tavës.

Ndërkohë parangrohim furrën.

Grijmë hollë qepët dhe i vendosim në një tavë bashkë me vaj ulliri. I fusim në furrë dhe i kavërdisim herë pas here derisa volumi i tyre  të bjerë  dhe të zverdhen.

Më pas, shtohet orizi në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë tavën.

Shtohet lëngu i mishit (në raportin një filxhan çaji oriz me tre filxhan çaji me lëng mishi).

Vendosen thelat e mishit me rregull në të gjithë tavën dhe hidhet nenexhik i grirë hollë nëse është i freskët.

Futeni në furrë dhe piqeni derisa orizi të jetë bërë pilaf i shkrifët.

Serviret i ngrohtë dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me të gjitha zahiretë shqiptare./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.