Brokoli dhe Lulelakër e Pjekur me Djathë – Shije Unike

2.9k 0

Një recetë fantastike, jo vetëm për shijen e përsosur por edhe për vlerat ushqyese gjithashtu, falë dy përbërësve kryesorë të saj brokolit dhe lulelakrës.

Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.

Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun dhe shumë e pasur në vlera dhe shije. Brokoli është fantastike në çdo mënyrë gatimi, supë, sallatë, pure etj.

Nga ana tjetër, lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalçium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.

Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të mrekullueshme plot shije, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë.

Brokoli dhe Lulelakër e Pjekur Me Djathë dhe Beshamelë

Përbërësit

  • 400 gr brokoli
  • 400 gr lulelakër
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri

Për salcën e beshamelës 

  • 3 lugë gjelle miell gruri
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja

Shtojmë ujë dhe kripë në një tenxhere dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.

Sapo uji të nisë të vlojë hedhim brokolit dhe lulelakrat e ndara në degëza.

I lëmë të ziejnë për 10 minuta dhe më pas i heqim nga zjarri.

Kujdesemi t’i largojmë nga uji përmes një kullorëse dhe i shtrojmë në tavë. Sipër i spërkasim me vaj ulliri.

Përgatitja e Beshamelës

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.

Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Masën e përgatitur të beshamelës e hedhim sipër brokolit dhe lulelakrave dhe më pas i fusim në furrë të piqen derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.