Pastiço është një nga recetat tashmë tradicionale dhe në tryezat tona.
Një pjatë që ka aq shumë mënyra për ta përgatitur, nga ajo klasikja me kimë dhe beshamel e deri ajo që përgatitet me spinaq.
Diçka e tillë mundëson që çdo familje ta përgatisë pastiçon sipas preferencave personale.
AgroWeb.org ju sjell një recetë aq të thjeshtë dhe me përbërës që gjenden në çdo shtëpi.
Pastiçoja me kos kërkon vetëm tre përbërës, kos vezë dhe makarona dhe pak mund për ta përgatitur, por është aq e shijshme sa ja vlen çdo minutë.
Përbërësit
- 750 ml kos
- 400 g makarona
- 4 lugë gjelle me vaj ulliri
- 4 vezë
- Kripë
- Piper i zi
Përgatitja
Si fillim vendosni një tenxhere me ujë në zjarr.
Kur uji të ketë zierë hidhni kripë dhe më pas shtoni dhe makaronat.
AgroWeb.org ju këshillon që të përzieni pak makaronat në mënyrë që të mos ngjiten me njëra tjetrën.
Ndërkohë që ato ziejnë, merrni një tas dhe thyeni të gjithë vezët që nevojiten dhe përzjejini me kosin.
Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës për t’i dhënë shije.
Kosin dhe vezët duhet t’i rrihni derisa të krijohen një masë e plotë dhe kremoze.
Hiqini makaronat nga zjarri, kullojini dhe shpëlajini me pak ujë të ftohtë, në mënyrë që të mos vazhdojnë të zbuten.
Makaronat shtojini tek masa e kosit dhe vezëve dhe me një lugë mundohuni që t’i përzieni.
Shtoni në këtë fazë dhe vajin e ullirit dhe përsëri përzjejini.
Merrni një tavë dhe spërkateni me pak vaj, dhe më pas kaloni të gjithë masën e përgatitur.
Me lugë përpiquni ta drejtoni sipërfaqen e saj që të jetë e njëtrajtshme.
Piqeni me 200 gradë derisa masa të jetë mpiksur plotësisht dhe sipërfaqja e pastiços të jetë skuqur.
Mjafton që ta nxirrni nga furra e ta lini sa të ftohet pak, kështu do të mpikset më mirë dhe do ta keni më të lehtë për ta prerë.
Nëse dëshironi mund t’i shtoni djathë të bardhë ose gjizë, pasi receta bazë i pranon dhe variacionet e tjera të përgatitjes. /AgroWeb.org