Krokante Jashtë dhe e Butë Brenda – Receta e Duhur e Bukës së Bardhë

2.5k 0

Buka është ushqimi që nuk mungon kurrë në kuzhinë e që njëkohësisht duhet gjithnjë.

Sa më e freskët aq më e mirë, por dhe ajo si çdo gatim tjetër mund të vijë me preferencat e saj.

Disa e duan të butë, të fortë, të bardhë, të zezë, me fara ose pa e një sërë kombinimesh të tjera.

Në recetën e sotëme nga AgroWeb.org do ju tregojmë se si të përgatisni bukë e veçantë me vetëm 4 përbërës e cila është e butë pupël brenda dhe krokante jashtë.

Përbërësit

  • 850 gr miell
  • 2-3 lugë çaji maja birre e thatë
  • 1 lugë çaji kripë
  • 820 ml ujë i vakët

Përgatitja

Në një enë të thellë shtoni miellin, kripën, majanë e birrës dhe përzieni mirë të gjithë përbërësit me një lugë druri.

Pak nga pak shtoni ujin e vakët duke vazhduar me përzierjen në mënyrë që majaja e birrës të aktivizohet.

Në fund do të keni një masë brumi me pak kokrriza dhe shumë ngjitëse, të cilin duhet ta mbuloni me qese plastike kuzhine dhe ta lini të pushojë për 8-12 orë.

Vendoseni brenda në furrë të fikur për të gjithë këtë kohë, në mënyrë që të mos ketë kontakt me rryma të ajrit jashtë.

Kur koha të ketë kaluar, brumi duhet të jetë dyfishuar dhe është gati për ta nxjerrë nga ena.

Pluhërosni me pak miell një sipërfaqe të drejtë dhe vendoseni të gjithin aty duke e punuar me duar.

Punojeni pak me duar dhe ndajeni në dy pjesë të mëdha.

Pra do të formoni dy toptha të mëdhenj brumi, të cilët duhet t’i punoni dhe pak moment me duar e më pas vendosini secilin në një tavë të shtruar me letër pjekje.

Tavën është mirë që ta keni me një kapak të posaçëm pasi do ju duhet për procesin e parë të pjekjes.

Pra vendosini bukës tuaj një kapak të madh sipër dhe futeni të piqet në furrë të ftohtë, duke e ndezur në moment në temperaturën 230 gradë C.

Piqeni për 30 minuta të mbuluar me kapak dhe më pas hiqjani duke e lënë të piqet edhe 20-30 minuta të tjera zbuluar.

Kur të ketë marrë ngjyrë të artë dhe të jetë formuar korja krokante, nixrreni nga furra, mbulojeni me një napë derisa të ftohet paksa dhe më pas mund ta prisni./AgroWeb.org