Kulaç me Sodë Buke për Një Mëngjes Plot Shije dhe Aromë

11.7k 0

Kulaçi është një nga ushqimet që ka shoqëruar fëmijërinë e gjithsecilit prej nesh.

Nga gjyshet e deri tek nënat, llojet e kësaj recete kanë mbushur mëngjeset në familje plot shije.

AgroWeb.org sot ju sjell recetën mbase më të thjeshtë si për nga përgatitja por edhe nga përbërësit që nevojiten.

Një kombinim i lehtë që do të krijojë shijen më të mirë, porsi kulaçi që përgatiste gjyshja në fundjavë.

Përbërësit

  • 4 gota miell
  • 1 lugë çaji me sodë buke
  • 1 lugë çaji me kripë
  • 2 gota kos
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Si fillim merrni një tas dhe aty hidhni miellin, sodën e bukës dhe kripën.

Përzjejini mirë këta përbërës në mënyrë që shija e sodës dhe kripës të mos mbetet në një vend.

Në një tas tjetër hidhni kosin dhe vajin e ullirit dhe përzjejeni derisa të formoni një salcë.

Këtë salcë AgroWeb.org ju këshillon që ta shtoni ngadalë tek mielli.

Filloni ta punoni me një pirun derisa të formohet brumi i kulaçit.

Më pas kalojeni brumin në sipërfaqen e tavolinës të spërkatur me pak miell.

Punojeni me duar derisa sipërfaqja e brumit të jetë e lëmuar dhe jo e ngjitshme.

Merrni një tavë dhe pasi ta keni lyer mirë me vaj vendosni aty brumin.

Hapeni me duar në të gjithë sipërfaqen e tavës duke e shtypur lehtë.

AgroWeb.org tani ju tregon sekretin e pjekjes së këtij kulaçi perfekt.

Tavën mbulojeni duke i vendosur një tavë tjetër sipër.

Futeni për ta pjekur në furrë me 200-220 gradë.

Tridhjetë minutat e para piqeni të mbuluar më pas largojeni tavën dhe piqeni dhe për dhjetë minuta të tjera.

Sipërfaqja e tij do të ketë marrë një ngjyrë të artë të lehtë.

Nxirreni nga furra dhe largojeni nga tava që të ftohet.

Kur ta ndani sigurohuni që ta ndani me duar, pasi thika do ta bëj brumin e kulaçit të qullët.

Mund ta shoqëroni me gjithçka që dëshironi.

Dhe për ta ruajtur të freskët dhe të butë mund ta mbuloni me një pecetë kuzhine dhe më pas ta fusni në një qese letre./AgroWeb.org