Makarona Flutur me Pulë dhe Brokoli me Shije Fantastike

2k 0

Makaronat janë një nga ushqimet më të konsumuara në vendet e Mesdheut.

Ato i gjejmë në forma nga më të ndryshmet dhe mundësitë për kombinimin e tyre me salca e perime janë të larmishme.

Makaronat gatuhen lehtë dhe nuk ka nevojë të jesh një mjeshtër i kuzhinës për të gatuar një pjatë të shkëlqyer në shije e paraqitje.

Kombinimet më të preferuara të makaronave janë ato me salca të ndryshme e peshk ton, por alternativat pasuruese të makaronave janë të panumërta.

I tillë është rasti i perimeve dhe mishit të pulës.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni makarona në formën e fluturës me brokoli, hudhër dhe mishin e gjoksit të pulës.

Përbërësit:

  • 1 pako makarona në formë fluture,
  • 300-400 gr brokoli të ndarë në tufëza,
  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër,
  • 2 copa gjoks pule,
  • Kripë dhe piper,
  • 1 filxhan me qumësht,
  • Gjysmë filxhani me djathë parmixhan të grirë,
  • 200 gramë krem djathi,
  • 3 thelbinj hudhre të grirë,
  • Spec djegës të kuq.

Përgatitja 

Merrni një tenxhere, mbusheni me ujë dhe vendoseni në zjarr.

Kur uji të ketë marrë valë, hidhni kripën dhe më pas makaronat lërini të zëjnë sipas minutave të udhëzimit në pako.

Makaronat duhet të jenë al dente dhe gjatë 2 minutshit të fundit të gatimit shtoni tufëzat e brokolit.

Kullojini më pas bashkë me makaronat dhe lërini mënjanë.

Vendosni një tigan në zjarr, hidhni vaj dhe më pas gjoksin e pulës të spërkatur me kripë dhe piper.

Copat e pulës duhen gatuar për 8 minuta në secilën anë deri sa të marrin një ngjyrë të artë.

Lërini mënjanë në një pjatë dhe kur të ftohen prijini hollë.

Në tenxhere shtoni qumështin, djathin parmixhan, kremin e djathit dhe hudhrën.

Përziejini dhe kur masa të trashet, shtoni kripë dhe piper.

Më pas hidhni makaronat me brokolin bashkë me fetat e pulës dhe përziejini me lugë druri.

Në fund hidhni specin e kuq djegës dhe servireni./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.