Tavë me Patëllxhanë dhe Djathë – Receta e Shpejtë Plot Shije

1.5k 0

Tava e patëllxhanëve me djathë prezanton një prej shijeve më tipike të traditës mesdhetare.

Kjo recetë ka avantazhin e madh që  mund të përgatitet lehtë dhe nuk ju mundon.

Është një gatim i shëndetshëm me bazë perimesh dhe shije të mrekullueshme, i përshtatshëm për çdo vakt.

Ndaj lexoni hapat e thjeshtë që AgroWeb.org ju këshillon të ndiqni dhe përgatiteni për familjarët tuaj këtë tavë me shije të shkëlqyer.

Përbërësit

  • 1 kg patëllxhanë
  • 1 kg domate të qëruara
  • 3 lugë vaj ulliri
  • 3-4 lugë miell për spërkatjen e patëllxhanëve
  • 500 gr djathë i bardhë i thërrmuar
  • Vaj për skuqje
  • Kripë
  • Borzilok (mund të përdorni dhe majdanoz)

Përgatitja e Tavës me Patëllxhanë dhe Djathë

AgroWeb.org ju këshillon që të lani dhe qëroni patëllxhanët.

Më pas pritini në feta për së gjati me një trashësi 2-3 mm dhe vendosini në një enë duke i hedhur pak kripë. Kështu patëllxhanët nuk do të nxihen dhe të hidhërohen, por dhe do të marinohen.

Mbulojini me një pjatë dhe vendosini sipër një objekt të fortë në mënyrë që të peshojë mbi patëllxhanët për të paktën 30 minuta.

Ndërkohë AgroWeb.org ju sugjeron të vazhdoni me përgatitjen e salcës.

Në një tigan hidhni vajin e ullirit dhe domatet që i keni qëruar e prerë në kubikë.

Vendosini kapakun dhe lërini të zihen në temperaturë të ulët  për 30 minuta.

Me ujë të bollshëm lani patëllxhanët e vendosur në kripë dhe thajini mirë me letër kuzhine.

Në zjarr vendosni dhe një tjetër tigan të thellë që e keni spërkatur me vaj për skuqje.

Kini kujdes të hidhni rreth 1 lugë çaji me vaj, pasi patëllxhanët e përthithin shumë shpejt yndyrën.

Në një enë të vogël hidhni pak miell dhe lyeni fetat e patëllxhanit një nga një e më pas vendosini për t’u skuqur.

Sigurohuni që t’i ktheni nga të dyja anët në mënyrë që të marrin një skuqje të lehtë.

Pasi t’i hiqni nga tigani përdorni letra kuzhine për të  thithur vajin e tepërt.

Ndërkohë është përgatitur dhe salca me domate.

AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni një tave katrore pasi do ta keni më të lehtë shtrimin e patëllxhanëve.

Krijoni një bazë të hollë me salcën e përgatitur të domateve kështu

Vendosini sipër një shtresë patëllxhanë të skuqur dhe më pas mbulojini përsëri me salcë duke shtuar djathin e thërrmuar,.

Përsëritini këto hapa derisa të keni mbaruar fetat e patëllxhanëve.

Në fund mbulojeni tavën me një shtresë të bollshme salce dhe djathi.

AgroWeb.org ju sugjeron që për shtresën e fundit mund të përdorni dhe djathë të grirë kaçkavall.

Futeni tavën në furrë për 30 minuta në temperaturë 200 gradë.

Pasi ta nxirrni nga furra lëreni të ftohet dhe shtojini gjethet e borzilokut përsipër.

Kur ta servirni aroma do të jetë ndjellëse dhe do t’i tërheqë që të gjithë për në tavolinë./AgroWeb.org