Oriz me Krem Qumështi dhe Erëza – Receta me Shije Fantastike

3.5k 0

Oriz, rizoto apo pilaf sido që ta quani, shija karakteristike e këtij ushqimi është e mrekullueshme dhe e preferuar nga shumica e njerëzve.

Njihet si një ndër gatimet më të shëndetshme dhe të përdorura në të gjithë botën.

Kombinimet me oriz fillojnë që nga ato me mish, në tavë, tigan e deri tek ëmbëlsira e famshme e sultjashit me kanellë.

Ndonëse mund ta keni provuar në shumë mënyra, AgroWeb.org në recetën e sotme ju sugjeron një shije të re, kremoze dhe ndryshe nga pilafi i zakonshëm e i thatë.

Orizi me erëza, krem qumështi dhe djathë ka një shije të veçantë dhe shumë kremoze që do të mbledhë të gjithë familjen rreth tavolinës.

Ndiqni më poshtë mënyrën e lehtë dhe të shpejtë të përgatitjes së këtij gatimi sipas këshillave të AgroWeb.org.

Përbërësit 

  • 200 gr oriz i bardhë
  • 750 ml lëng mishi (këshillohet pule)
  • 30 gr gjalpë
  • 4 lugë gjelle krem qumështi ose pana
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 3 lugë gjelle djathë i grirë kaçkavall
  • 1 tufë e vogël majdanoz
  • 1 tufë e vogël kopër apo rozmarinë
  • 1 tufë e vogël borzilok
  • 1 qepë e kuqe
  • pak rigon

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të prisni qepën në fije të holla.

Në një tigan të thellë  të vendosur në zjarr, shtoni gjalpin të shkrijë bashkë me vajin e ullirit.

Kur gjalpi të ketë shkrirë, hidhni qepën që gritë më parë duke përzier vazhdimisht derisa qepa të zbutet plotësisht.

Shtoni më pas orizin, duke e përzier dhe pak nga pak shtoni edhe lëngun e mishit, duke ruajtur një gotë të mbushur për më vonë.

Lëreni orizin në zjarr për 15-20 minuta, e ndërkohë pastroni dhe prisni erëzat në fije të holla.

Sipas dëshirës ju mund të shtoni edhe erëza të tjera si rozmarina, borziloku apo nenexhiku.

Në një enë veçmas hidhni kremin e qumështit, erëzat e grira, një lugë djathi të grirë dhe gjysmë gote lëng mishi të cilin e ruajtët më parë.

Përzjejini të gjithë këta përbërës në një mikser derisa të përfitoni një masë të njëtrajtshme ngjyrë jeshile.

Kthehuni sërish tek orizi juaj dhe para se të ketë thithur të gjithë lëngun e mishit shtojini pjesën e mbetur të tij dhe kremin që përgatitët në mikser.

Përzieni me kujdes në mënyrë që salca me erëza të përhapet në të gjithë tiganin.

Lëreni në zjarr të ulët edhe për 3-4 minuta të tjera derisa të shikoni që masa e lëngshme është përthithur nga orizi.

Fikeni zjarrin dhe teksa tigani është ende i ngrohtë, shtoni pjesën tjetër të mbetur të djathit kaçkavall.

Përzieni mirë dhe shërbejeni këtë pjatë të ngrohtë për të mbushur vaktet tuaja plot shije./AgroWeb.org