Reçeli i Shijshëm me Mollë – Si ta Përgatisni Lehtë në Shtëpi

8k 0

Për shumë amvisa shqiptare, përgatitja e reçelit është shpesh edhe një pasion.

Receta që do të lexoni më poshtë garanton një reçel të shijshëm molle që nuk do të mungojë në mëngjeset e kaluara me familjen.

Reçeli është fantastik me një shije që nuk ka të përshkruar apo të krahasuar.

Megjithatë, ata që  e kanë  provuar shpjegojnë  se në lugën e parë, do të përballeni me aromën dhe më pas me ëmbëlsinë unike të  mollës.

Reçeli i shtëpisë është më i miri

Përfitimet e një produkti të gatuar në shtëpi janë të panumërta në krahasim me artikujt që shiten nëpër dyqane dhe supermarkete.

Kur përgatisni reçel në shtëpi ju mund të kontrolloni përbërësit që do të hidhen në kavanoz, pastërtinë e tyre por edhe të garantoni mungesën e substancave shtesë, ngjyruesve artificialë, apo pesticidëve.

Duke qenë se frutat janë të freskëta, AgroWeb.org ju tregon se reçeli i bërë në shtëpi zakonisht përmban përbërës të një cilësie të lartë.

Ndërkohë që kur reçeli bëhet në sasi të mëdha për shitje masive, përbërësit e përzgjedhur janë të një cilësie më të dobët.

Përbërësit:

  • 1,5 kg mollë
  • 250-300 gramë sheqer
  • 700 ml ujë
  • lëngu dhe lëkura e gjysmës së një limoni
  • Një shkop kanelle (nëse dëshironi)

Përgatitja

Lajini, qërojini dhe prijini mollët në copëza të vogla.

Ndërkohë merrni një tenxhere të pastër dhe vendoseni në zjarr.

Hidhni në të copat e mollëve të grira, ujin dhe lëngun e limonit.

Mbulojeni me kapak dhe lëreni të ziejë për 15 minuta.

Përziejeni 3 ose 4 herë që të parandaloni ngjitjen në tenxhere.

Pasi të ketë marrë valë, përziejeni rregullisht, por AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes pasi copëzat e mollës nuk duhen tretur plotësisht.

Më pas shtoni sheqerin, lëkurën e limonit dhe shkopin e kanellës.

Lërini të marrin valë sërish dhe të ziejë derisa masa e reçelit të fillojë të nxjerrë bulëza.

Më pas, hiqeni nga zjarri, largoni shkopin e kanellës dhe lëngun hidheni në kavanozë të pastër.

Sigurohuni që të lini pak hapësirë në sipërfaqe.

Mbyllini kapakët fort dhe vendosini në një tenxhere me ujë të valuar për 5 minuta.

Nëse reçelin planifikoni ta konsumoni menjëherë, ruajini kavanozët në frigorifer.

Në të kundërt mund t’i ruani në një vend të freskët dhe të errët.

Pas hapjes, kavanozët futini sërish në frigorifer, nëse i keni rezistuar ëmbëlsisë së tij./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.