Sallatë e Ftohtë me Patate të Pjekura – Receta që Nuk Duhet t’ju Mungojë

1.7k 0

Patatet mund t’i konsumoni në shumë mënyra, duke nisur nga supa e deri tek gjellët klasike.

Një pjatë tradite është edhe sallata me patate e kastravecë e cila konsumohet në çdo ditë të vitit.

Ama AgroWeb.org ju sjell një recetë pak më ndryshe të sallatës me patate.

Sekreti qëndron tek pjekja dhe marinimi i tyre me salcën me kos dhe hudhra, që i jep një shije fantastike kësaj pjate.

Ndiqni shkurt hapat dhe përgatiteni këtë salcë pasi nuk do të zhgënjeheni asnjëherë.

Përbërësit

  • 1 kg patate të vogla
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i zi
  • 4 thelpinj hudhër
  • 4 lugë gjelle kos
  • 1 lugë gjelle lëng limoni
  • Majdanoz

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni furrën në 230 gradë dhe të përgatisni patatet.

Duke e ndezur që në fillim furrën, temperatura në të cilën do të piqen patatet do të jetë nuk do të rritet ngadalë, duke e shkurtuar kështu kohën e pjekjes.

Patatet shpëlajini në ujë të ftohtë dhe qërojini nga lëkura. Nëse patatet janë të reja dhe lëkura është e hollë mund t’i lini edhe ashtu.

Mjafton t’i prisni në dy pjesë dhe t’i shtroni në një tavë me letër pjekjeje.

Spërkatini me vaj ulliri, kripë dhe piper të zi dhe përziejini me duar që të marinohen.

Futni për të pjekur për 30-40 minuta duke i kthyer dy herë gjatë pjekjes.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i lini të piqen derisa sipërfaqja e tyre të ketë marrë një ngjyrë të artë dhe krokante.

Ndërkohë që patatet po piqen ju përgatisni salcën me kos dhe hudhra.

Shtypni hudhrat dhe përziejini tek kosi bashkë me pak kripë, vaj ulliri dhe 1 tufë me majdanoz të grirë.

Sapo patatet të jenë pjekur largojini nga furra dhe lërini të ftohen pak.

Në fund mjafton që t’i përzieni me kosin dhe t’i lini për 10 minuta në frigorifer që të marrin shijen që duhet.

Kjo sallatë mund të shoqërojë shumë mirë mishin, por mund të konsumohet edhe vetëm pasi është e plotë dhe ju mban ngopur gjatë./AgroWeb.org