Si të Përgatisni Bakllavanë Sipas Traditës Vlonjate

1.9k 0

Bakllavanë jemi mësuar që ta shijojmë gjatë festave të fundvitit, por kjo ëmbëlsirë e shijshme mund të jetë edhe pjesë e festave në familje.

Mënyrat e përgatitjes së saj ndryshojnë sipas krahinave, disa përdorin gjalpë, disa të tjerë vaj ulliri.

AgroWeb.org sot ju tregon recetën e qytetit të Vlorës për përgatitjen e delikatesës tradicionale.

Ndiqni hapat dhe shijojeni me të dashurit tuaj sa herë që nepsi ju kërkon diçka plot sherbet dhe me shije unike.

PËRBËRËSIT

Për brumin :

  • 1 kg miell
  • 9 vezë të plota
  • 1 filxhan çaji vaj ulliri
  • ujë aq sa duhej që të lidhej brumi
  • pak uthull
  • një majë luge kripë e sheqer
  • niseshte për hapjen e petëve
  • 1 kg gjalpë i shkrirë

Për mbushjen:

  • 600-700 g arra të grira trashë të trazuara me 4-5 lugë sheqer e kanellë pluhur

Për sherbetin:

  • 1.5 kg sheqer
  • 700 ml ujë
  • 2-3 shkopinj kanellë
  • 2 lugë gjelle lëng limoni

PËRGATITJA

Pasi zihet brumi e lemë të çlodhet pak, rreth gjysmë ore dhe e ndajmë në 60-70 toptha të vegjël.

Numri i tyre është në varësi të diametrit të tepsisë që keni përzgjedhur.

Hapja e petëve është pjesa më e vështirë sepse mirë është të hapen një nga një.

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni pak niseshte në mënyrë që petat të mos ngjiten apo grisen.

Pasi i hapim të gjitha petët, i lemë të thahen pak sa të përgatisim mbushjen me arra të trazuara me sheqer e kanellë e karafil pluhur.

Shtrojmë poshtë 15 petë pastaj në çdo 2 petë hedhim mbushje duke e përhapur në tepsi në mënyrë të njëtrajtshme.

Ky proces vazhdon derisa të na ngelen 15 petë te cilat i shtrojmë në fund.

Pasi kemi mbaruar e presim me një thikë të mprehtë në format e dëshiruara, romb, katror etj.

Sipër i hidhet gjalpi i shkrirë e i kulluar nga hirra. Futet në furrë në 140 gradë për rreth 4 orë.

Zihet shërbeti sa të lidhet. Për të kuptuar nëse sherbet është gati vendosim pak mbi një pjatë dhe nëse qëndron në vend pa rrëshqitur është gati nëse jo e ziejmë edhe për pak minuta.

Sherbetosim bakllavanë e ftohtë me sherbet të ngrohtë ose e kundërta bakllava e ngrohtë sherbet i ftohtë dhe është gati./AgroWeb.org