Si të Përgatisni Recetën Perfekte me Midhje në Shtëpi

2.7k 0

Vera sjell një shije të veçantë në tryezën tuaj pasi pjatat me bazë peshku bëhen më të preferuara.

AgroWeb.org sjell sot një recetë e cila është kërkuar nga lexuesit.

Midhjet njihen ndryshe si Mbretëreshat e Liqenit, dhe kanë qenë prezente në kulinarinë shqiptare për shumë vite.

Receta që ju sugjerojmë sot është një ndër ato baziket ama shija është e përkryer.

Me salcë domatesh pikante prej specit djegës dhe të marinuara me verë të bardhë, midhjet do të kthehen në një pjatë plot aromë.

Ndiqni me kujdes këshillat dhe provojeni që sot këtë shije autentike.

Përbërësit

  • 1kg midhje
  • 2 thelpinj hudhër
  • 50ml verë e bardhë
  • Piper i zi
  • Majdanoz
  • 400g tul domateje
  • 1 spec djegës
  • 40ml vaj ulliri
  • Kripë

Përgatitja

Për të filluar me këtë recetë duhet të filloni me pastrimin dhe përgatitjen e midhjeve.

Shpëlajini midhjet në një tas me ujë të rrjedhshëm dhe më pas me ndihmën e një thike largoni papastërtitë tek guaskat.

Në një tenxhere hidhni 20ml vaj ulliri de një thelbi hudhër të qëruar të plotë.

Shtoni aty midhjet e pastra, majdanozin dhe verën e bardhë.

Nëse nuk dëshironi të përdorni verë të bardhe mund të përzieni në 50ml ujë 2-3 lugë gjelle uthull molle për të patur të njëjtin efekt.

Mbulojeni tenxheren me kapak dhe lërini midhjet të ziejnë dhe që të hapen.

Ndërkohë në një tigan hidhni vajin e mbetur dhe specin djegës të cilin e keni grirë.

Shtoni edhe hudhrën e shtypur dhe lërini të skuqen lehtë sa për të lëshuar shijen e tyre specifike.

Tani e ka radhën tuli i domates të cilit duhet t’i jepni shije me kripë dhe piper të zi.

Midhjet kullojini dhe ujin e tyre ruajeni për ta shtuar tek salca e domates.

Lëreni salcën që të ziejë për 10-15 minuta, ndërkohë largoni nga midhjet hudhrën dhe majdanozin.

Tani shtoni midhjet tek salca dhe përziejini lehtë në mënyrë që të marinohen me salcën e domates.

Grini sa më imët një tufë me majdanoz të freskët dhe shtojeni tek tigani dhe lërini të ziejnë për 4-5 minuta.

Kur të keni mbaruar me përgatitjen e tyre shërbejini me pak bukë të thekur./AgroWeb.org