Si të Përgatisni Mollë Sheqeri në Shtëpi? – Receta e Shijes së Fëmijërisë

1.6k 0

Nuk ka ushqim që e rikthen fëmijërinë si mollët e karamelizuara.

Ndonëse në Shqipëri më të njohurat kane qenë ato me veshje të kuqe, në recetën e sotëme AgroWeb.org ju tregon se si të përgatisni mollë të karamelizuara me mjaltë dhe qumësht.

Si fillim zgjidhni mollë të vogla me shije të athët për një rezultat magjik.

E më pas ndiqni këshillat tona për recetën e plotë të mollëve më të veçanta që do të provoni.

Përbërësit

  • 8 mollë
  • 130 gr gjalpë
  • 250 gr sheqer kaf
  • 130 ml mjaltë
  • 400 ml qumësht i kondesuar
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 8 shkopinj druri

Përgatitja

Siç thamë si fillim zgjidhni mollët, nëse keni mundësi t’i mblidhni të freskëta nga pema, shija do të jetë akoma më e mirë.

Më pas në një tigan të thellë ose tenxhere, shtoni gjalpin, sheqerin kaf, mjaltin dhe qumështin e kondesuar.

Ndizni zjarrin mbi nxehtësinë mesatare dhe përzieni herë pas here të gjithë përbërësit në mënyrë që të bashkohen e të fillojnë të ziejnë.

Kjo do të zgjasë 30-40 minuta deriaa masa të fillojë të trashet e më pas mund ta hiqni nga zjarri.

Në fund shtoni ekstraktik e vaniljes dhe përzieni sërish.

Më pas merrni shkoplinjtë e hollë të drurit dhe vendosini në mes të çdo molle.

Pasi t’i keni siguruar mirë, zhytini tek masa e karamelizuar që përgatitët në mënyrë që të lyhen plotësisht.

Shtroni një letër pjekje diku dhe vendosini mollët tuaja mbi të në mënyrë që të mos bëni pis përreth.

Sipas dëshirës mund t’i spërkasni me copëza çokollate, karamelesh apo biskotash të therrmuara.

Lërini për disa momente të ftohen e të mpiksen më pas mund t’i konsumoni.

Është mirë t’i konsumoni brenda ditës të mënyrë që të mos prishen./AgroWeb.org