Petë të Ëmbla me Mollë – Për t’i Shtuar Edhe më Shumë Shije Ditës

2.3k 0

Është një ndër ëmbëlsirat më të shijshme dhe më të thjeshta për t’u përgatitur.

Ndonëse me origjinë gjermane, receta e strudelit me mollë sot është bërë pjesë e kuzhinës së çdo shteti në botë.

Me një aromë fantastike dhe kombinim magjik për shijes mes mollëve dhe kanellës, kjo ëmbëlsirë e lehtë është më idealja për t’u përgatitur dhe ofruar miqve apo më të dashurve.

Strudeli me mollë është një ëmbëlsirë që mund të shoqërohet mjaft mirë me kafe, çaj por edhe me akullore të ndryshme.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së strudelit në shtëpi, një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar familjen me një ndër ëmbëlsirat më të shijshme.

Përgatitja e Strudelit me Mollë në Shtëpi

Përbërësit

  • 1kg miell
  • 1 kg mollë
  • Një lugë gjelle kanellë
  • 200 gr rrush i thatë
  • 250 gr gjalpë i freskët
  • 400 gr sheqer pudër
  • 100 gr galetë (bukë e thekur, e bluar)
  • Një lugë kafeje me kripë

Përgatitja

Sitim miellin, e hapim në mes, shtojmë kripën dhe e brumosim me ujë të ftohtë si për petë byreku me qëllim që të hapet mirë.

Brumin e lëmë pak në qetësi që të fitojë elasticitet.

Duhet të kemi parasysh që petët të mos thahen se nuk mblidhen kur të përgatisim strudelin.

Mollët i pastrojmë, u qerojmë lëkurën dhe i grijmë në copa të holla, i përzjejme me galetë, sheqer, me rrush të thatë dhe kanellë.

Lyejmë petët me gjalpë dhe i shtrojmë njëra mbi tjetrën.

Përsipër i lyejmë me gjalpë dhe i mbështjellim në formë roleje me mollë në mes.

Strudelin e pjekim në furrë me nxehtësi mesatare dhe e presim në copa si gjithë pastat e tjera.

Shënim: Në vend të petës së zakonshme përdoren edhe petë milfej ose thjesht brumë sfolat.

Kjo ëmbëlsirë serviret e ftohtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.