Si të Thani Mollët në Furrë – Receta e Shëndetshme me Shije të Mirë

1.5k 0

Mollët janë një frut jashtëzakonisht i pasur me antioksidantë, flavonoidë dhe fibër.

Fitoushqyesit dhe antioksidantët tek mollat zbusin rrezikun e shfaqjes së kancerit, tensionit të lartë, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.

Mollët përfshihen në shumë receta të ndryshme, të ëmbla dhe të kripura.

AgroWeb.org do t’ju tregojë një recetë mjaft interesante që i bën mollët të shijshme, të ëmbla dhe më të lehta për tu konsumuar sa herë që të dëshironi.

Receta e mollëve të thara në furrë është perfekte.

Këto feta molle mund t’i paketoni lehtësisht, t’i merrni me vete në punë ose tua jepni fëmijëve në shkollë.

Ato mund të ruhen gjatë nëse futen në enë qelqi me kapak të puthitur fort.

Mollët mund të thahen shumë lehtë në shtëpi dhe nuk e humbasin fibrën dhe ushqyesit.

Është shumë e thjeshtë: qëroni dhe prini në feta 3 ose 4 mollë, spërkatini me kanellë dhe vendosini në furrë të piqen.

Si Të Thani Mollët në Furrë

  • Koha e përgatitjes 10 minuta
  • Koha e pjekjes 6 orë

Përbërësit:

  • 3 deri në 5 mollë
  • Çerek filxhani me lëng limoni
  • 1 lugë çaji me kanellë

Udhëzimet

Lajini mollët mirë me ujë të bollshëm.

Nëse dëshironi mund t’i qëroni ose jo.

Hiqini bërthamat e mollëve dhe pritini në feta.

Fetat hidhni në një enë qelqi të mbushur me ujë dhe lëng limoni që të parandaloni nxirjen e tyre.

Pas disa minutash, hiqini nga ena dhe thajini.

Spërkatini me kanellë pluhur dhe vendosini në skarën e pjekjes në furrë.

Ju mund të përdorni një ose disa skara të pastra.

Furrën ndizeni në një temperaturë të ulët prej 65 gradësh.

Derën e furrës duhet ta lini pak hapur që të lejoni qarkullimin e ajrit dhe heqjen e lagështisë.

Mollët mund të piqen në një hark kohor prej 5 deri në 8 orë.

Koha e pjekjes varet nga  niveli i lagështisë, furra, lloji i mollës, trashësia e fetës e të tjerë.

Herë pas here kontrollojini fetat e mollës nëse janë akoma të lagështa.

Fetat duhet të jenë të thata dhe krokante.

Pas pjekjes lërini të ftohen për disa orë përpara se t’i paketoni në formatin e dëshiruar.

Ruajini në një vend të errët e të freskët për disa muaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.