Sallata Kremoze me Kastravecë – Freski dhe Shëndet

2.8k 0

Dashamirësit e salcës së xaxiqit, janë gjithnjë të apasionuar pas kombinimit mes kosit dhe kastravecit.

Një recetë e tillë ofrohet në këtë artikull të AgroWeb.org. Bëhet fjalë për një sallatë shumë kremoze me bazë kastraveci dhe kosi.

Përbërësit:

  • 240 gram kos shtëpie
  • 1 lugë gjelle kopër të freskët
  • 1 lugë gjelle lëng limoni
  • 1 thelb hudhër
  • Nga një majë luge kripë dhe piper
  • 1 kastravec
  • Çerek qepe e kuqe e prerë hollë

Përgatitja:

Për salcën përzieni në një enë kosin, koprën, limonin, hudhrën, kripën dhe piperin.

Për sallatën, niseni punën duke tharë kastravecin dhe prerë në feta të holla.

Hidhini fetat e kastravecit në enën e sallatës, shtoni qepët e grira hollë dhe më pas salcën e kosit.

Servireni menjëherë duke e shoqëruar me gatimet e shtëpisë.

Vlerat Fantastike Të Kastravecit 

Kastravecat janë ndër dhuratat më të mrekullueshme të natyrës.

Ky frut është shumë  i rëndësishëm për ushqyerjen tonë.

Një kastravec mesatar ofron 15-17 kalori por nga ana tjetër është shumë i pasur me fibër, proteinë, vitaminat C, K, B dhe kalium, hekur, zink dhe magnez.

Pjesa më e madhe e këtyre ushqyesve gjenden tek lëkura.

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org kanë listuar përfitimet që i vijnë organizmit duke ngrënë nga një kastravec në ditë.

Hidratimi

Ekspertët thonë se njeriu merr 40% të dozës ditore të ujit nga ushqimet.

95% e kastravecit është ujë ndaj duke ngrënë kastravec, njeriu në praktikë është duke ngrënë dhe duke pirë.

Ngrënia e kastravecit çdo ditë ndihmon për hidratimin e organizmit.

Detoks

Njerëzit që e teprojnë me pijen apo kanë nevojë të detoksifikohen duhet të konsumojnë më shumë kastravec.

Sipas ekspertëve, nëse hani disa feta kastraveci përpara gjumit, do të ndihmoni organizmin të vetëpastrohet dhe të riktheni balancat e elektroliteve.

Rënie Nga Pesha

Kastraveci ka tendencën të na mbajë të ngopur për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit.

Ky i fundit rrit sasinë e kalorive të djegura dhe ndihmon në përgjithësi për rënien nga pesha.

Frymëmarrje e Freskët

Kastravecët pastrojnë gojën nga bakteret e dëmshme që shkaktojnë erën e keqe të saj.

Mjafton të mbani një fetë kastraveci në qiellzë për 30 sekonda që bakteret të eliminohet dhe goja të jetë më e freskët.

Më Pak Stres

Vitaminat B tek kastraveci ndihmojnë në uljen e nivelit të ankthit dhe stresit.

Këto vitamina ndihmojnë organizmin të prodhojë më shumë energji.

Niveli i Sheqerit

Antioksidantët, vitamina C dhe mangani ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq dhe sheqerit në gjak.

Kësisoj, kastravecët rekomandohen në veçanti edhe për diabetikët sepse ndihmon në mirëmbajtjen dhe parandalimin e sëmundjes./AgroWeb.org