Orizi Apo Buka – Cila Ka Më Tepër Vlera Ushqyese?

1k 0

Nëse duhet të zgjidhni orizin apo bukën kjo varet nga qëllimet tuaja. Por duhet të dini se orizi ofron më shumë vitamina dhe minerale, nga ana tjetër buka është më e ulët në kalori dhe karbohidrate.

Njerëzit që konsumojnë më shumë drithëra peshojnë më pak dhe kanë nivele më të ulëta të sheqerit në gjak dhe të kolesterolit sesa njerëzit që konsumojnë sasi më të vogla të drithërave.

Po ju cilën do të zgjidhni mes tyre? Për ta bërë më të lehtë AgroWeb.org ju njeh më poshtë me vlerat e secilës.

Makronutrientët

Nëse po përpiqeni të kufizoni kaloritë ose karbohidratet, buka është një zgjedhje më e mirë sesa orizi.

Në 1/2 gote të pagatuar me oriz kaf ka rreth 100 kalori, 3 gram proteina, 1 gram yndyrë dhe 22 gram karbohidrate.

Ndërsa një fetë bukë me grurë integral ka 69 kalori, 4 gram proteina, 1 gram yndyrë dhe 12 gram karbohidrate.

Orizi i bardhë dhe buka e bardhë kanë sasi të ngjashme të kalorive, yndyrave, karbohidrateve dhe proteinave.

Fibrat

Kur bëhet fjalë për fibrat, zgjidhni versionet me drithëra të plota të orizit dhe bukës.

Vetëm gjysëm gote me oriz kaf të pagatuar, ka 2 gram fibra dhe një fetë bukë me grurë integrale përmban 2 gram.

Ndërsa e njëjta sasi e orizit të bardhë përmban vetëm 0,3 gram fibra dhe buka e bardhë vetëm 0,4 gram.

Fibrat ndihmojnë në mbajtjen e traktit tretës të shëndetshëm, kufizojnë rrezikun për sëmundje të zemrës dhe ndihmojnë në ruajtjen e peshës.

Femrat duhet të konsumojnë 25 gramë në ditë dhe burrat kanë nevojë për 38 gramë fibra në ditë.

Vitaminat

As buka dhe as orizi nuk janë shumë të pasura me vitamina. Megjithatë, në një gjysëm gotë të pagatuar me oriz të bardhë ka rreth 77 mikrogramë folate, dhe një fetë bukë e bardhë përmban 43 mikrogramë.

Kjo është për shkak të fortifikimit të këtyre produkteve, pasi orizi i zi dhe buka me grurë integrale nuk ofrojnë një sasi të konsiderueshme të këtij elementi ushqyes, i cili është i rëndësishëm për formimin e ADN-së dhe ndarjen e qelizave.

Mineralet

Orizi kaf ofron më shumë minerale, pasi përmban 42 miligramë magnez, ose 11 përqind të sasisë ditore që duhet të konsumoni, si edhe sasi të vogla të mineraleve të tjera.

Magnezi forcon kockat, përmirëson imunitetin dhe mban zemrën tuaj të shëndetshme.

Orizi i bardhë dhe buka ofrojnë sasi të vogla të secilit prej mineraleve të rëndësishme. /AgroWeb.org