Shumë prej supermarketeve të vendit ofrojnë një larmi sallatash të gatshme e të paketuara këndshëm.
Ato e lehtësojnë punën e një amvise dhe shkurtojnë shumë kohë.
Por shumë nga amvisat shqiptare që përkujdesen me devotshmëri ndaj pastërtisë në kuzhinë janë të shqetësuara me të drejtë mbi pastërtinë dhe sigurinë e këtij produkti të gatshëm.
Ky shqetësim bazohet në faktin se u duhet një farë kohe për të larë sallatë, jo një por disa herë e më pas për ta servirur atë në tryezë.
Sallatat e Gatshme Strehë Bakteresh?
Një studim i vitit 2016 i publikuar në revistën Applied and Environmental Microbiology shpjegon se sallatat e gatshme mund të nxisin shumimin e baktereve të dëmshme.
Studimi britanik analizoi lëngjet e lëshuara nga sallata e prerë dhe e paketuar dhe zbuloi një nivel të lartë ndotjeje me salmonelë.
Pavarësisht kushteve frigoriferike, bakteret e akumuluara në paketim shumoheshin në mënyrë drastike në një afat kohor prej 5 ditësh.
Në këtë hark kohor numri i baktereve shkonte nga 100 në 100,000 qeliza.
Ky është një nivel tepër i lartë për të shkaktuar helmim nga ushqimi.
Lëngjet e lëshuara në paketim krijonte një shtresë të padukshme për syrin e njeriut e cila mbështillej në çdo gjethe të sallatës duke i zaptuar bakteret në thellësi.
Një gjë e tillë, bënte që pavarësisht larjes së sallatës me ujë të bollshëm ajo ishte sërish plot e për plot me baktere.
Këto të fundit e gjejnë rrugën drejt barishteve falë ujit, dheut por edhe duarve të njeriut.
Një ndotje e tillë mund të shkaktojë jo vetëm helmim nga ushqimi por edhe vdekje të parakohshme.
Një nga barishtet më të brishta ndaj baktereve është spinaqi.
Sallata e Paketuar Duhet Larë Mirë Pavarësisht Etiketës
Shumë paketime sallatash të gatshme shkruajnë që sallata është e larë dhe gati për tu ngrënë.
Ky njoftim nuk duhet t’ju pengojë që të lani sallatën sërish.
Përpara larjes së sallatës, sigurohuni të lani duart dhe ambientin e kuzhinës për të shmangur ndotjen e mëtejshme.
Këshilla Sigurie Për Blerjen e Sallatës Së Gatshme
Ekspertët e AgroWeb.org kanë përpiluar disa këshilla sigurie për blerjen e sallatës së gatshme në market.
Sipas tyre, ju duhet të blini paketimin me datën më të largët të skadencës.
Ju duhet të siguroheni që paketimi nuk është i dëmtuar dhe gjethet e sallatës janë të freskëta, të thata e të forta.
Kur të shkoni në shtëpi, qesen duhet ta mbani në frigorifer dhe ta hani sa më shpejt.
Nëse vëreni që në paketim janë akumuluar lëngje apo gjethet po vyshken, hidheni atë në plehra.
Duke qenë se sallata duhet larë medoemos, mos shpenzoni para të blini paketime ku shkruhet që sallata është e larë./AgroWeb.org