Trajtim i ri: Kompania AstraZeneca po punon për terapinë me antitrupa

412 0

Të dhënat nga testimet e bëra nga kompania AstraZeneca kanë shfaqur mundësitë për një trajtim të ri që do të parandalonte sëmundjen COVID-19, – të shkaktuar nga koronavirusi – përtej vaksinës, duke u dhënë kështu shpresa personave që kanë reagim të dobët ndaj imunizimit me vaksina.

Kompania farmaceutike britanike tha se terapia e re e saj me antitrupa, e ka ulur rrezikun që personat të shfaqin simptoma të COVID-19 deri në 77 për qind, sipas testimeve në faza të avancuara.

Mënyra se si funksionojnë vaksinat është se ato mbështeten te një sistem i mirë imunitar për të krijuar një arsenal të antitrupave të targetuar dhe qeliza që e luftojnë infeksionin.

Ndërkaq terapia AZD7442 e kompanisë AstraZeneca përmban antitrupa të krijuar në laborator që janë të dizajnuar të qëndrojnë në trup për disa muaj për ta mundur koronavirusin në rast të infektimit.

Kompania tha se 75 për qind të pjesëmarrësve në testim për këtë terapi kishin pasur sëmundje kronike duke përfshirë disa persona me reagim të ulët imunitar ndaj vaksinës.

Terapi të ngjashme me një lloj të barnave të quajtur antitrupa monoklonal po zhvillohen nga kompanitë: Regeneron (REGN.O), Eli Lilly (LLY.N) dhe GlaxoSmithKline (GSK.L) me partnerë Vir (VIR.O), që po konkurrojnë për një rol në trajtimin dhe parandalimin e COVID-19.

Por, AstraZeneca është e para që ka publikuar të dhëna pozitive nga testimet për parandalimin e sëmundjes dhe tani po synon miratim të kushtëzuar në tregje masive para fundit të vitit, duke synuar prodhimin e një deri në dy milionë dozave deri atëherë.

Penny Ward, profesor i përkohshëm në degën e mjekësisë farmaceutike në Universitetin “Kings College” në Londër, tha se lajmi për këtë terapi është i mirë për njerëzit që kanë reaguar keq ndaj vaksinimit ose që duhet të marrin barna për shtypjen e imunitetit pas transplantimit të organeve, sëmundjeve auto-imunitare apo gjendje të tjera shëndetësore.

“Potencialisht mund të jetë ndryshim i madh për këta individë që momentalisht po këshillohen të vazhdojnë të mbyllen edhe pse janë të vaksinuar plotësisht”, tha ai.

Një zyrtar i AstraZenecas, Mene Pangalos tha se testimet për terapinë u bënë tre muaj pasi antitrupat ishin injektuar ndërsa hulumtuesit do të vazhdojnë përcjelljen edhe deri në 15 muaj, me shpresë se kompania mund të konsiderojë këtë terapi si mbrojtje njëvjeçare.

“Ne me të vërtetë po mundohemi t’i ndihmojmë pacientët që kanë nevojë për një nivel të shtuar të mbrojtjes përtej vaksinës” tha Pangalos.

Ai sinjalizoi të ardhmen e produktit të ri kundër COVID-19 nga AstraZeneca duke thënë se mund të rrisë vlerën strategjike të vaksinës ekzistuese Vaxzevria, e cila është zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit në Britani.

Kompania farmaceutike anglo-suedeze ka pasur probleme me vaksinën kundër COVID-19 pasi raste të rralla të mpiksjes së gjakut kanë rënduar mbi kërkesat për këtë vaksinë në Evropë.

Kjo vaksinë ende nuk e ka marrë dritën e gjelbër në Shtetet e Bashkuara./Rel