Delikatesa Kremoze e Pudingut me Hurma Dhe Kakao

1.3k 0

Hurmat janë frutat më të dashura të vjeshtës dhe të dimrit.

Padyshim që janë edhe ndër frutat më të preferuara të shqiptarëve.

Ato të tërheqin përherë me shijen e tyre dhe asnjëherë s’mund të ndalesh duke ngrënë vetëm një.

Por krahas shijes së tyre fantastike, hurmat mbartin vlera të jashtëzakonshme shëndetësore.

Hurmat janë të pasura me vitamina (A, C), fibra, antioksidantë por edhe kripëra minerale si kalciumi, kaliumi, magnezi, fosfori, seleni dhe sodiumi.

Falë përmbajtjes së këtyre substancave, hurmat u japin energji organizmit, mbrojnë sistemin imunitar, kanë aftësi të përmirësojnë tretjen dhe të luftojnë lodhjen.

Ato janë të jashtëzakonshme edhe kundër stresit, kundër anemisë apo mungesës së oreksit.

Sot AgroWeb.org do t’ju befasojë, me recetën e thjeshtë që kërkon vetëm dy përbërës: hurmë dhe kakao.

Kjo është një mënyrë fantastike për të shijuar hurmat si një ëmbëlsirë të lehtë dhe duke mos u ndier në faj për kaloritë e tepërta që një ëmbëlsirë ka zankisht.

Përbërësit

700 g hurma të pjekura

40 g pluhur i hidhur kakaoje

Bajame të grimcuara ose fruta të thata sipas shijes

Përgatitja

Për të përgatitur pudingun me hurmë dhe me kakao, qëroni hurmat, hiqni farat e tyre dhe kalojeni të gjithë tulin në një mikser.

Në të shtoni kakao dhe përpunojeni masën derisa të përftoni një konsistencë të lëmuar dhe homogjene.

Vendoseni përzierjen në 4 kallëpe, duke hedhur rreth 140 g në secilin.

Pasi të keni mbushur kallëpet, transferojini në frigorifer dhe lërini për të paktën 8 orë.

Pas kësaj kohe nxirrini nga frigoriferi, hiqini ëmbëlsirat nga kallëpi dhe vendosini në pjatë për t’i shërbyer.

Dekorojini duke i spërkatur me kakao dhe me bajame të grimcuara.

Këshillë

Pudingu me hurmë dhe kakao mund të ruhet në frigorifer për 2-3 ditë.

Nëse hurmat nuk ju duken mjaft të ëmbla, provoni të përdorni kakao të ëmbëlsuar ose shtoni pak sheqer në puding./AgroWeb.org