Krostatë me Reçel – Ëmbëlsira e Mrekullueshme nga Irma Libohova

989 0

Ëmbëlsirat janë një nga kënaqësitë dhe mjeshtëritë më të mëdha të kuzhinës.

Këtë e thotë edhe këngëtarja e njohur Irma Libohova në emisionin Kush vjen për drekë, ku shprehet se i pëlqen shumë të gatuaj ëmbëlsira të mira.

Gjithsesi ky nuk është i vetmi zhanër ku Irma është e apasionuar në kuzhinë, ajo shprehet se i pëlqen të gatuajë çdo gjë.

Madje gatimin e shikon si një proces ku mbizotëron dashuria dhe mirësia, dëshira për të ndarë një dimension të vetes me të tjerët.

“Kam raport të mirë me kuzhinën, më pëlqen. Kuzhina është dashuri, të gatuash me dashuri, t’ju falësh njerëzve dashuri nëpërmjet gatimit është një dimension shumë i mirë.”, thotë ajo për lidhjen e saj me kuzhinën.

Recetën e krostatës ajo e ka zgjedhur pasi është e thjeshtë në përgatitje dhe shumë e lehtë edhe në shijim.

AgroWeb.org ju shpjegon mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete shum ëtë shijshme nga këngëtarja Libohova.

Përbërësit

300 gr miell

100 gr sheqer

150 gr reçel luleshtrydhe

2 vezë

90 gr gjalpë

lëkura e një limoni

15 gr maja e thatë

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë këngëtarja sugjeron që të filloni me grirjen e lëkurës së limonit shumë imët.

Më pas në një enë shtoni sheqerin me gjalpin dhe përzieni  derisa sheqeri të shkrihet plotësisht.

Shtoni vezët dhe përzieni sërish me anë të një rrahësi elektrik, derisa kjo masë të bëhet kremoze.

Sitni miellin dhe shtojeni edhe atë pak nga pak tek ena me përbërësit e tjerë dhe në fund shtoni majanë e tretur në ujë të ngrohtë.

Në këtë mënyrë brumi juaj do të arrijë të fryhet dhe të mos krijojë kokrriza.

Në fund hidhni edhe lëkurën e grirë të limonit për më shumë shije dhe futeni enën të mbuluar për 20 minuta në frigorifer.

Bëni kujdes që të lini pak brumë mënjanë, në mënyrë që të përgatisni shiritat për zbukurimet në fund.

Pluhrosni këtë pjesë të brumit me pak miell në mënyrë që të mos ngjisë dhe vazhdoni me përgatitjen.

Më anë të një petësi hani një petë me trashësi mesatare të cilën më pas priteni me thikë në shirita të trashë rreth 2-3 cm.

Pas ta nxirrni që aty, përgatisni tavën e rrumbullakët ku do të shtroni brumi.

Lyejeni tavën me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj e më pas hidhni brumin.

Shtrojeni atë me duar ose me anë të një spatule në të gjithë tavën, duke e ngritur edhe në pjesët anësore të saj.

Hidhni mbi të reçelin e luleshtrydhes dhe përhapeni me anë të një luge, sipër vendosni shiritat horizontalisht dhe vertikalisht sipër njëri tjetrit.

Këngëtarja thotë se duhet të formohen disa forma të vogla rombi.

Pasi të keni mbaruar futeni krostatën tuaj në furrë dhe piqeni për 40 minuta në temperaturën 180 gradë C.

Shijojeni të ngrohtë e më pas mund ta ruani në frigorifer./AgroWeb.org