Patëllxhanë me Salcë Domatesh të Pjekur në Furrë

2k 0

Patëllxhanët janë nga perimet që kombinohen më lehtë me çdo gatim.

Turlia me patëllxhanë, gjella, fërgesa e deri tek turshitë me këtë perime janë nga delikatesat më të preferuara të kuzhinës.

Përtej shijes së mirë patëllxhanët janë një burim i vërtetë vlerash, ato përmbajnë vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.

Tanimë mund t’i përgatisni në një mënyrë të re akoma më të shijshme të gjithë në shtëpitë tuaja.

Ndiqni këshillat e AgroWeb.org dhe mësoni recetën e re të patëllxhanëve me salcë domatesh për një shije të shtuar në tryezë.

Përbërësit

2 patëllxhanë të mëdhenj

3-4 lugë salcë domatesh

50 gr djathë i bardhë

Vaj ulliri

Rigon

Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të nisni me prerjen e patëllxhanëve në rrathë të mëdhenj.

Mundohuni që secili të jetë 1-2 cm i trashë.

Më pas vendosini fetat që pretë në një tavë të shturar me letër pjekje dhe futini në furrë të ngrohur në temperaturën 180 gradë dhe lërini patëllxhanët tuaj të piqen për 10 minuta.

Pas kësaj kohe nxirrini patëllxhanët nga furra dhe vendosni sipër tyre salcën e domateve dhe djathin.

Bëni kujdes që salcën ta vendosni vetëm sipër rrathëve të patëllxhanëve në mënyrë rrethore.

Në fund shtoni djathin e bardhë të prerë në kubikë të vegjël ose të thërrmuar po sipër sipërfaqes së patëllxhanëve një nga një.

Spërkatini më pak vaj ulliri, rigon dhe kripë e futini sërish në furrë për 7-8 minuta të tjera.

Kur patëllxhanët të jenë pjekur nxirini nga furra dhe mund t’i shijoni shoqëruar me pjata të tjera mishi apo si antipastë.

Sipas dëshirës mund t’i ruani në frigorifer të mbyllura deri në dy ditë dhe t’i konsumoni të ftohta./AgroWeb.org