Petulla me Kungull – Receta e Veçantë e Vjeshtës

466 0

Petullat shumë të dashura e të shijshme janë gatimi që shoqëron prej vitesh mëngjeset e shumë familjeve.

Mënyrat e përgatitjes dhe shijimit të këtyre recetave janë të pafundme në varësi të zonave ku serviren.

Kjo i bën ato shumë popullore dhe të preferuara nga të gjithë, kryesisht për shijen e mirë e të butë të brumit.

Petullat gatuhen nga nënat ose nga gjyshet në çdo stinë dhe zakonisht serviren me frutat apo zahiretë e stinës.

Këtë do të gjeni edhe në recetën e sotme të petullave me kungull të freskët vjeshte.

Në mënyrë që të provoni sa më shumë kombinime dhe të kënaqeni nga shija e tyre e mirë, AgroWeb.org ju shpjegon këtë mënyrë të re.

Petullat me kungull janë po aq të veçanta në shije sa kanë dhe emrin, prandaj duhet t’i provoni patjetër.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e përgatitjes së tyre hap pas hapi sipas këshillave të AgroWeb.org.

Përbërësit

1 kg kungull (i pastruar)

1 kg miell

3 portokalle

25 gr maja buke

3 vezë

1 lugë gjelle sheqer

vaj për skuqje

kripë

sheqer pluhur

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të që të pastroni fillimisht kungullin.

Pasi t’i keni hequr farat dhe lëkurën, priteni me kujdes në copa apo katrorë të vegjël deri në 5-6 cm.

Vendosini në një tavë të shtruar me letër furre dhe vërini të piqen për 20 minuta në temperaturë 100 gradë C.

Hiqeni më pas nga furra kur kungulli të jetë zbutur dhe shtypeni me anë të një piruni derisa të jetë kthyer në pure.

Lëreni të ftohet dhe në fund kullojeni me kujdes, në mënyrë që të hiqni ujin e tepërt nga kungulli.

Ky hap është shumë i rëndësishëm pasi nëse kungulli është i lëngshëm, ndikon tek cilësia e përgatitjes së brumit në fund.

Më pas hidheni në një enë të thellë bashkë me vezët, majanë e bukës të shkrirë në ujë të vakët, shtrydhni lëngun e tre portokalleve dhe shtojeni po aty.

Duke përzier shtoni pak kripë, sheqerin dhe miellin duke e situr pak nga pak.

Përzieni derisa të formohet një masë brumi e njëtrajtshme, pa kokrriza dhe e plotë.

Më pas mbulojeni me një letër dhe lëreni që të fryhet për rreth 2 orë në një ambient të ngrohtë.

Kur brumi të jetë gati vini një tigan të thelle, të mbushur me vaj në zjarr mesatar.

Sapo vaji të filloje të ngrohet merrni brumin dhe hidhni pak nga pak me anë të një luge petullat tuaja.

Mundohuni të bëni forma të vogla rrethore me anë të lugës dhe t’i lini ato të skuqen derisa të marrin ngjyrë të artë.

Pasi të jenë skuqur, kalojini petullat si zakonisht në një pjatë të shtruar me letër, në mënyrë që të thithet vaji i tepërt.

Në fund fikni zjarrin dhe vendosini petullat tuaja në një pjatancë të pastër, duke i spërkatur sipër me pak sheqer pluhur sipas dëshirës.

Mund t’i konsumoni ashtu siç janë apo me pak mjaltë për një shije të përsosur./AgroWeb.org