Sallatat janë perfekte për t’i dhënë shije akoma edhe më shumë pjatave që ju përgatisni për të dashurit tuaj.
Duke qenë se në stinën e verës ka më shumë mundësi për të krijuar kombinime për receta të reja, AgroWeb.org ju sugjeron atë me fiq.
Nëse dyshoni për shijen që kjo sallatë mund të ketë, ju premtojmë që do të jetë fantastike.
Pak djegëse dhe e hidhur nga rukola, freski mahnitëse nga borziloku, bajamet dhe arrat e pjekura krokante, dhe në fund kombinimi mes fiqve të ëmbël mjaltë dhe djathit të dhisë.
Mjafton të bashkoni përbërësit në recetë dhe të ndiqni këshillat e marinimit të duhur dhe shqisat tuaja do të mrekullohen.
Përbërësit
400g fiq të freskët
60g rukola
8-10 gjethe borziloku
120g djathë dhie
45g bajame ose arra
2 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë gjelle uthull balsamike ose molle
1 lugë çaji mjaltë
Kripë
Piper i zi
Përgatitja
Si fillim nisni me përgatitjen e fiqve duke i larë lehtë me ujë të bollshëm e më pas thajini me letër kuzhine.
Fiqtë pritini në katër pjesën nëse janë shumë të mëdhenj mund t’i prisni edhe më shumë.
Por tregoni kujdes që të mos i shtypni ndërsa i prisni pasi fruti është goxha i butë.
Pasi të keni mbaruar me prerjen e tyre vendosini në një tas dhe vazhdoni me larjen e rukolës.
AgroWeb.org ju këshillon që të mbushni një tas me ujë dhe aty të hidhni pak kripë dhe të zhysni gjethet e rukolës.
Shpëlajeni kështu rukolën dy ose tre herë e më pas lëreni të kullojë pak.
Duke e ndarë me duar shtojeni atë tek tasi ku keni lënë fiqtë.
Në zjarr vendosni një tigan dhe aty kaloni sa për të marrë një të pjekur të lehtë arrat apo bajamet.
Edhe këto shtojini tek përbërësit e tjerë.
Shtoni edhe gjethet e njoma të borzilokut të cilat thjesht i keni ndarë në dy pjesë.
Në fund e ka radhën djathi i dhisë të cilin mjafton ta thërrmoni me duar mbi sallatën.
Në një tas tjetër përzieni vajin e ullirit, uthullën, mjaltin, kripën dhe piperin e zi.
Rrihini me një pirun, kështu përbërësit do të bashkohen dhe do të krijojnë një masë të njëtrajtshme.
Këtë lëng hidheni mbi sallatën dhe përziejeni mirë me ndihmën e një luge e një piruni.
Sallatën mbulojeni me qese kuzhine dhe lëreni të marinohet në frigorifer për 15 minuta para se ta shërbeni./AgroWeb.org