Ushqimi dhe gatimi hyjnë tek ato pasione që bëjnë bashkë shumë njerëz.
Si fillim duke qenë një nga hallkat kryesore të mbijetesës dhe jetesës së mirë.
Nuk ka shumë rëndësi se çfarë profesioni ke, për ta pasur edhe atë të kuzhinierit një aset të dytë.
Më së miri këtë mund ta shohim nga kuzhina e Alketa Vejsiut për shkak të përkushtimit të madh me të cilin ajo gatuan recetat e saj të preferuara.
Së fundëmi prezantuesja e njohur ka pasur kohë të lirë për të përgatitur më shumë pjata të cilat i ndan herë pas here me ndjekësit në rrjetet e saj sociale.
Ajo është shprehur disa herë se gatimi është një pasion i madh për të dhe se “kuzhina jeshile është ajo që i pëlqen më shumë”.
Gjthashtu receta e preferuar e moderatores si në shijim ashtu edhe në gatim duket se janë makaronat me salca të freskëta.
Një version të tillë ajo e ka sugjeruar edhe së fundmi për ndjekësit e saj në një video të postuar në instagram.
Makaronat me pesto të përgatitur në shtëpi që AgroWeb e sjell për ju mëposhtë.
“Ky është makaroni më i thjeshtë, duhen vetëm 4 minuta për ta përgatitur”, thotë ajo teksa bëhet gati për të gatuar.
Përbërësit
250 gr makarona të vogla (Pene)
Vaj ulliri
3 thelpinj hudhër
Kripë
1 tufë borzilok ose majdanoz sipas dëshirës
50 gr djathë kaçkavall i grirë
Bajame, arra apo fara pishe sipas dëshirës
Përgatitja
Si fillim Alketa sugjeron të vini në punë imagjinatën të paktën përsa i përket mavase.
Kjo sepse asaj vetë nuk i pëlqen t’ju qëndrojë fikse recetave, pasi shpesh masat “i shikon me sy”.
Kështu nisni më tej me përgatitjen e kësaj recete.
Në një mikser shtoni vajin e ullirit, hudhrat e njoma, majdanozin apo borzilokun, kripën dhe djathin kaçkavall.
Sipas dëshirës në fund mund të shtoni edhe pak arra apo bajame për më shumë shije.
Ndizni mikserin në maksimum dhe grini të gjithë këto përbërës për disa sekonda, derisa të përfitoni një salcë të hollë të njëtrajtëshme.
Ndërkohë vendosni makaronat të ziejnë përreth 10 minuta ndërsa salcën jeshile hidheni në një tigan dhe lëreni në zjarr të ulët.
Aty shtoni pak ujë nga makaronat dhe përzieni salcën në mënyrë që të hollohet pak.
Kur makaronat të jenë gati, kullojini dhe kalojini menjëherë tek tigani ku ndodhet salca jeshile.
Përziejini makaronat tuaja mirë për 2 minuta dhe fikeni zjarrin.
Shërbejini në racione të vecanta shoqëquar me pak borzilok të freskët dhe djathë kaçkavall sipër./AgroWeb.org