Mjeku Mezini paraqet faktet që pohojnë sigurinë e barnave si ibuprofeni për pacientët me COVID-19

268 0

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Agjencia Amerikane e Ushqimeve dhe Barnave (FDA) ka dalë në përfundimin se nuk ekziston asnjë lidhje mes AIJS-ëve dhe përkeqësimit të COVID-19.

 Me shpërthimin e pandemisë COVID-19, pati një shqetësim në rritje në publik në lidhje me përdorimin e barnave anti-inflamatore jo-steroide, veçanërisht në rrjete sociale. Ndërkohë, ka pasur një konfuzion në rritje mes pacientëve që përdorin barna anti-inflamatore jo-steroide (përfshi ibuprofenin) për sëmundje kronike dhe sëmundje të tjera.

Më 28 prill, rreth 400 mjekë dhe farmacistë nga Shqipëria diskutuan gjatë një seminari virtual organizuar në Tiranë në lidhje me sigurinë e AIJS-eve gjatë pandemisë së COVID-19. Me këtë rast u bë edhe një paraqitje e pikëpamjeve të bëra publike nga organizatat shëndetësore dhe rezultatet e kërkimeve të bëra. Folësit ishin në të njëjtën linjë me qëndrimin e autoriteteve shëndetësore globale se aktualisht nuk ekziston asnjë lidhje mes barnave anti-inflamatore jo-steroide (siç është ibuprofeni) dhe përkeqësimit të gjëndjes së shkaktuar nga COVID-19; barnat anti-inflamatore jo-steroide mund të vazhdojnë të përdoren në përputhje me informacionet e miratuara të produktit.

“Nuk ekziston asnjë element që vërteton efektet negative serioze dhe ndikimin afatgjatë në mbijetesën dhe në cilësinë e jetës së pacientëve të prekur nga COVID-19 si rezultat i përdorimit të barnave anti-inflamatore jo-steroide,” u tha në njoftimin e publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH)1 i cili iu paraqit Profesionistëve Shqiptarë të Shëndetit gjatë seminarit virtual.

Doktor Arian Mezini, pneumolog në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” në fjalën e tij foli për përdorimin e barnave anti-inflamatore jo-steroide dhe COVID-19. Dr. Arian Mezini paraqiti deklarata nga OBSH, EMA dhe FDA, të cilat janë të gjitha në një linjë për sa i përket faktit se pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë mund të vazhdojnë të përdorin barna anti-inflamatore jo-steroide (siç është ibuprofeni) në përputhje me informacionet e miratuara të produktit.

“Aktualisht nuk ka asnjë arsye që pacientët të cilët përdorin ibuprofen ta ndalin trajtimin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientë që marrin ibuprofen apo barna të tjera anti-inflamatore jo-steroidepër sëmundje kronike,” shpjegoi dr. Arian Mezini, i cili iu referua deklaratës së Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA).2

Gjatë fazave të para të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) ekzistonte shqetësimi se ibuprofeni, një bar që përdoret rëndom për trajtimin e dhimbjes dhe temperaturës, por edhe të sëmundjeve kronike, mund ta përkeqësonte gjendjen shëndetësore të një pacienti të prekur nga koronavirusi.

Për shkak të këtyre pretendimeve, u krye një studim danez i bazuar në regjistrin civil kombëtarpër të hetuar lidhjen mes barit anti-inflamator jo-steroid dhe vdekshmërisë për 30 ditë dhe pasojave të tjera negative të sëmundjes, siç është hospitalizimi dhe shtrimi në terapi intensive, intubimi dhe terapia akute e zëvendësimit renal në të gjithë pacientët që kishin rezultuar pozitiv për SARS-CoV-2. Studimi danez nuk ka treguar asnjë lidhje mes rezultatit të shpallur dhe përdorimit të barnave anti-inflamatore jo-steroide, përfshi ibuprofenin. 4

“Ne jemi në dijeni të shumë lajmeve të rreme që janë përhapur në internet, veçanërisht në fazën e parë të pandemisë COVID-19 dhe shpresoj që të jemi të gjithë të vetëdijshëm për faktin se duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm në trajtimin e lajmeve të tilla. Kur bëhet fjalë për barna anti-inflamatore jo-steroide, siç është ibuprofeni, më duhet të nxjerr në pah faktin se Agjencia e Ushqimeve dhe Barnave (FDA) ka vënë në dukje se aktualisht nuk ekziston asnjë lidhje mes përdorimit të barnave dhe përkeqësimit të simptomave të infeksionit COVID-19,3–dr. Arian Mezini.

Në fund, u arrit në përfundimin se kur fillon trajtimi i temperaturës apo dhimbjes te pacientët me COVID-19, pacientë dhe profesionistë të shëndetit duhet t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet e mundshme, përfshi këtu paracetamolin dhe barnat anti-inflamatore jo-steroide. Çdo bar ka të mirat dhe rreziqet e tij të cilat listohen në informacionin e produktit (Përmbledhje e Karakteristikave të Produktit dhe Fletushka me Informacione për Pacientin).

Ky seminar virtual u mbështet nga kompania BGP Products Switzerland, zyra e përfaqesisë Tiranë, një kompani Viatris./Burimi:Top Channel