Sulfitet në Shishet e Verës – A Janë Problem?

1.6k 0

Kur përzgjedh një shishe vere cilësore, gjithmonë përballesh me një listë përbërësish që shkaktojnë konfuzion. Sa prej jush keni hasur emërtimin “SULFITE” në etiketën e shishes së verës së preferuar? AgroWeb.org do t’ju ndihmojë të zgjidhni enigmën e kësaj substance që gjendet tek vera.

Sulfitet janë një sërë përbërësish të squfurit, në veçanti të dioksidit të squfurit (SO2) që është një nën produkt kimik që vjen nga proçesi i fermentimit e që shërben si mbrojtës kundër baktereve dhe mykut, të cilat mund të shkatërrojnë verën që në momentin që nisin e të shumëfishohen.

Por fermentimi nuk mjafton për prodhimin e mjaftueshëm të kësaj substance për të mbrojtur verën për një periudhë afatgjatë, ndaj prodhuesit e verës shtojnë më shumë sulfite që të mbajnë mikrobet larg. Sulfitet nuk gjenden vetëm tek vera. Shumë prej ushqimeve të tjera që janë kryesisht të përpunuara përmbajnë sulfite.

Që nga viti 1986, autoritetet ndërkombëtare i cilësuan sulfitet si një substancë alergjike, pas pretendimeve të disa rasteve të azmës të shkaktuara nga kjo substancë. Rrjedhimisht, sulfitet u ndaluan nga përdorimi në frutat dhe perimet e gjalla. Nga fillimi i viteve 90, prodhuesit e verës u detyruan që të vendosnin në etiketë përdorimin e sulfiteve, nëse sasia e përdorur ishte mbi 10 mg për litër.

Sulfitet janë pjesë e prodhimit të zakonshëm të verës në të gjithë botën. Vetëm pse shishja e një vere të përgatitur në Shqipëri nuk e përmban në etiketë, nuk do të thotë që ky produkt nuk përmban sulfite. Në Shqipëri pjesa më e madhe e prodhuesve të verës e vendosin shënimin ‘sulfite’ në çdo etiketë, ndërsa në Kosovë në etiketë shkruhet një variant tjetër që njofton konsumatorin se vera përmban squfur.

Enigma e dhimbjes së kokës

Thënë thjesht, sulfitet janë për verën siç është gluteni për ushqimet. Autoritetet e vendeve perëndimore nuk kanë arritur të masin saktësisht prevalencën e ndjeshmërisë ndaj sulfiteve, ndonëse rastet e ndikimit të këtyre substancave tek shëndeti i njeriut kanë qenë të një niveli të ulët. Ndikimi është vënë re kryesisht tek ata që vuajnë nga astma.

Natyrshëm lind pyetja, a shkaktojnë sulfitet dhimbje koke? Dashamirësit e verës thonë që po. Shkenca thotë që jo. Megjithatë, shumica e këtyre pretendimeve është spekullim, në mos e gabuar, duke qenë se SO2-shi që gjendet tek vera, gjendet edhe tek ushqime të tjera siç janë frutat e thata që përdoren rregullisht e që nuk shkaktojnë dhimbje koke.

Për më tepër, vera organike ose bio përmban nivele shumë më të ulëta të sulfiteve, në mos as edhe një miligram, e megjithatë mundësia për dhimbje koke qëndron e paprekur dhe përsëri kjo ndodh.

Studime të shumta nuk kanë arritur të gjejnë asnjë lidhje mes sulfiteve dhe dhimbjes së kokës. Me fjalë të tjera, studimet kanë gjetur se njerëzit ankohen për dhimbje koke edhe nëse kanë pirë verë pa sulfite.

Ndonëse shkenca nuk është e qartë mbi këtë çështje, dyshimet bien tek histamina dhe tiramina, dy kimikatë natyralë që shkaktojnë problem me tensionin e gjakut dhe rrjedhimisht dhimbje koke.

Fakte interesante

Vera e kuqe përmban më shumë histaminë, ndërkohë që vera e bardhë ka më shumë sulfite.

Ka edhe të dhëna që provojnë se vera e kuqe përmban shumë alkool dhe që falë efektit dehidratues mund të shkaktojë dhimbje koke.

Përfundimisht, nëse vini re në etiketë që vera përmban sulfite, mos u panikosni. Pini verën që ju pëlqen dhe nëse keni dhimbje koke më vonë, pini një ilaç për të./AgroWeb.org