Zonat e Prekura nga Koronavirus – Si të Vetëizoloheni në Shtëpi

411 0

Shqipëria mbrëmjen e djeshme shënoi dy rastet e para me koronavirusin COVID-19.

Të infektuarit ishin babë e bir, përkatësisht 54 dhe 28 vjeç të kthyer nga Italia.

Mësohet se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe se po trajtohen të izoluar në QSUT.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama njoftoi pezullimin e të gjitha aktiviteteve publike deri në 3 Prill.

Po në këtë mbledhje, ai u fokusua edhe tek masat parandaluese që duhet të marrë secili në këtë situatë.

Vetëkarantinimi ose izolimi në shtëpi është një prej tyre që rekomandohet edhe nga institucionet dhe ekspertët e mjekësisë.

Personat që kthehen nga zonat e prekura apo ata që kanë dyshime duhet të marrin masat dhe të izolohen.

Nëse po pyesni veten se cilat janë masat që duhet të merrni, lexoni mëposhtë këshillat e ekspertëve.

Vetëkarantinimi

Nëse dyshoni se keni rënë në kontakt me koronavirusin COVID-19, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që menjëherë të telefononi në numrin e posaçëm 127.

Nuk rekomandohet të paraqiteni menjëherë në urgjencë ose në spitale, për shkak të rrezikut të përhapjes së mëtejshme të virusit.

Së pari bëni kujdes të qëndroni sa më shumë në shtëpi pa pasur kontakt të afërt me persona të tjerë.

Qëndroni në dhoma të ndara dhe përdorni tualete, gota, pjata apo peshqirë të veçantë nga pjesa tjetër e familjes  gjithashtu.

Pastroni me alkool të gjithë sipërfaqet që mund të prekni me dorë, apo sipërfaqet ku shikoni se ka stërkala apo gjak.

Hapësirat e përbashkëta në shtëpi duhet të jenë të ajrosura sa më mirë

Mos prisni vizitorë të rinj në shtëpi, limitoni daljet gjithashtu dhe kontaktin me kafshët shtëpiake.

Kjo pasi është vënë re se njerëzit mund të ja transmetojnë koronavirusin edhe kafshëve.

Nëse ju duhet të dilni nga shtëpia vendosni gjithnjë një maskë mbrojtëse dhe mbuloni gjithnjë gojën teksa teshtini apo kolliteni.

Evitoni transportin publik dhe jini të vëmendshëm ndaj simptomave sidomos nëse kohët e fundit keni vështirësi në frymëmarrje.

Kur mund të dilni nga vetëizolimi?

Ekspertët thonë se çdo rast i koronavirusit duhet ndjekur hap pas hapi, pasi mund të ndryshojë nga tjetri.

Gjithsesi personat që kthehen nga zonat e kuqe siç janë Kina, Itani apo Italia dhe kryejnë këtë proces shumë të nevojshëm vëtëkarantinimi, duhet të qëndrojnë në këtë mënyrë për të paktën 14 ditë.

Këto masa janë të nevojshme pasi virusi mund të shfaqet pas dy javësh pasi jeni infektuar./AgroWeb.org