Psikologia Frashëri: Koha në rrjetet sociale i kufizon fëmijët në marrëdhëniet reale

273 0

Psikologia, Eneida Frashëri tha për Euronews Albania se koha që fëmijët kalojnë në rrjetet sociale i kufizon ata në ndërveprimin me marrëdhëniet reale në jetën e përditshme.

“Gjithë kjo mungesë e marrëdhënieve reale ka shkaktuar shumë problematika sepse ne e dimë që ndërveprimi social është një element shumë i rëndësishëm sidomos për grupmoshat që sapo nisin të mësojnë se si duhet të sillen me të tjerët,” – u shpreh psikologia.

Ndërkaq, Frashëri solli në vëmendje se përdorimi i shpeshtë i rrjeteve sociale sjell si pasojë dhe çrregullimet mendore te fëmijët apo adoleshentët.

“Studimet kanë treguar që ekspozimi i shpeshtë në rrjetet sociale ka ndikuar në uljen e vetëvlerësimit, sepse përballen me imazhe apo stile jetese që nuk janë të vërteta” – tha ajo.

Reagimet e fëmijëve apo ndryshimet në sjelljen e tyre dhe gjendjen emocionale janë elementë që do t’iu tregonin prindërve për tejkalimin e kohës që duhet kaluar përpara një pajisje digjitale.

Sipas psikologes, monitorimi që prindërit do të duhet të bëjnë duhet të ndërlidhet dhe me komunikim të vazhdueshëm.

Së fundmi Frashëri bëri thirrje që prindërit të vendosin një model për fëmijën, duke mos tejkaluar dhe ata vetë kohën e përdorimit të aparatëve celularë, tabletave apo kompjuterëve./Burimi:EuroNews