Vezë me Domate dhe Speca – Receta Perfekte për një Drekë të Lehtë

4.5k 0

Një pjatë fantastike me bazë vezët dhe perimet që do të kthehet shpejt në të preferuarën e të gjithë familjes.

Megjithëse është një recetë olmete mund të konsumohet edhe në drekë apo në darkë si një vakt i lehtë apo si shoqëruese e pjatave të mishit.

Një arsye tjetër çfarë e bën këtë recetë shumë të veçantë është edhe thjeshtësia në përgatitje.

Përbërësit për këtë  pjatë thuajse gjithmonë ju gjenden në shtëpi dhe kombinimi i tyre do t’ju dhurojë një shije fantastike.

AgroWeb.org ju tregon më poshtë se si të përgatisni në çdo kohë recetën e mrekullueshme të perimeve me vezë.

Përbërësit

  • 1 qepë
  • 3 speca jeshilë
  • 4 domate
  • 4 thelpinj hudhër
  • 3 qepë të njoma
  • 6 vezë të freskëta
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 8 gr kripë
  • piper i zi
  • nenexhik

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon të prisni qepën në fije të holla dhe specat në kubikë të vegjël.

Shtojeni me kujdes në një tigan ku keni hedhur paraprakisht vaj ulliri dhe kaurdisini qepët derisa të zbuten.

Më pas, prisni domatet në kubikë të vegjël dhe hidhini në tigan bashkë me perimet e tjera.

Shtoni thelpinjtë e hudhrës dhe dy qepë të njoma të grira dhe lërini të ziejnë për 10-15 minuta.

Trazojini vazhdimisht derisa të gjithë perimet të jenë zbutur dhe bashkuar me njëra tjetrën, në fund hidhini pak kripë sipas dëshirës.

Ndërkohë përgatisni edhe vezët për t’i hedhur në tigan.

Me anë të një luge bëni pak vend sa për të hedhur një vezë dhe pasi ta keni hedhur lëreni të ziejë për 8-10 minuta.

AgroWeb.org ju këshillon të hidhni 6 vezë të freskëta, por ju mund të zgjidhni aq sa ju dëshironi.

Kjo recetë është për 5-6 persona prandaj ju mund t’i shtoni vezët në varësi të personave që do t’a servirni.

Teksa ziejnë në fund mund t’i jepni shije me pak piper të zi, një qepë të njomë të grirë dhe disa gjethe nenexhiku apo majdanozi.

Kjo pjatë shërbehet ashtu siç është në tigan, me bukë të thekur gruri apo misri.

Nëse do ta konsumoni gjatë drekës apo darkës, shoqërojeni me kos për pak freski të shtuar./AgroWeb.org