Varësia nga Ekrani – Si e Shkatërron të Ardhmen Fëmijëve

460 0

Eshtë e pamundur që të ndodhesh sot në një ambient publik dhe të mos vesh re ndonjë fëmijë zhytur në ekranin e një celulari apo tablete.

Jemi të gjithë dëshmitarë të revolucionit teknologjik të këtij shekulli, që në fakt është një thikë me dy presa, veçanërisht për të miturit.

Prindërit e kanë kuptuar sa e rehatëshme është t’i lenë fëmijët në shoqërinë e këtyre pajisjeve, por kjo kohë e kaluar përballë ekranit që pulson po krijon një brez me problematika në çështjet e shëndetit mendor.

Çrregullimet nga varësia ndaj ekranit

Kërkimet e vazhdueshme kanë nxjerrë në pah se si në rastet kur fëmijët luajnë video-lojra, ashtu edhe kur ndodhen para ekranit të një celulari, për një kohë të gjatë , në fakt janë duke demostruar sjellje varësie.

Pse? Ndërkohë që truri i një të rrituri është më i zhvilluar, truri i fëmijës është i ndjeshëm  ndaj ndryshimeve të çdo lloji dhe kjo mund të çojë në çrregullime të mëdha.

Ja disa nga llojet e problematikave – çrregullime nga varësia ndaj internetit, ndaj lojrave të internetit, nga rrjetet sociale.

Kjo varësi shoqërohet me sjellje që me kalimin e kohës bëhen shqetësuese.

Nëse sjelljet e mëposhtëme i vini re tek fëmijët tuaj, atëhere është momenti për tu treguar të vëmendshëm dhe për të vepruar – humbje të interesit për botën e jashtme, irritim dhe shpërthime të pakontrrolluara, gënjeshtra në lidhje me kohëzgjatjen e qëdrimit para ekranit, mbyllje në vetvete.

Efektet e menjëherëshme dhe ato afat-gjata

Varësia nga ekrani mund të ketë pasoja shkatërrimtare për një fëmijë.

Ndër pasojat që vijnë thuajse menjëherë janë –  mungesa e gjumit, dhimbja e mesit, humbja, ose shtimi i madh në peshë, problemet me shikimin, dhimbja e kokës, ankthet, ndjenjat e fajit, vetmisë.

Ndërsa pasoja afatgjatë është dëmtimi i trurit.

Sipas studimeve është provuar që truri i fëmijëve tkurret, ose humbet inde në lobin frontal, pikërisht në zonat që merren me planifikimin dhe organizimin dhe ndikojnë edhe në aftësinë e të ndjerit keqardhje, apo empati për të tjerët.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit

Për fëmijët nën 18 muajsh duhen shmangur të gjitha llojet e ekraneve.

Prindërit e fëmijëve 18 – 24 muaj, të cilët mendojnë t’i prezantojnë fëmijët e tyre me ekranet e tabletave, kompiuterave apo celulatëve duhet të zgjedhin programe me cilësi të lartë dhe t’i shohin ato së bashku.

Për fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç duhet vazhduar me programe cilësore, por jo më shumë se 1 orë në ditë.

Për fëmijët deri në 6 vjeç e sipër duhen caktuar mirë oraret dhe përmbajtja e medias që shihet.

Mbi të gjitha, kjo kohë nuk duhet të zëvendësojë atë të lojrave, apo aktiviteteve fizike në natyrë.

Me të gjithë fëmijët duhen zhvilluar biseda në lidhje me produktet mediatike që ata shohin si dhe mbi rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi pa kriter i pajisjeve teknologjike.