Receta e Qiqrave me Rozmarinë – Shije dhe Shëndet në Tryezë

1.7k 0

A e dinit se qiqrat janë bishtajori i dytë më i kultivuar në botë?

E megjithatë duket sikur recetat me to lihen pak pas dore dhe vendin në tryezë j’ua zënë fasulet të cilat gjithashtu kanë shumë shije.

Për ta prishur paksa këtë traditë, do ju tregojmë si të përgatisni qiqrat më të shijshme që keni provuar.

Receta me vaj ulliri dhe rozmarinë është jo vetëm shumë e mirë për t’u ngrënë, por e mbushur edhe me plot vlera.

Qiqrat janë një burim i mirë proteine dhe stimulojnë sistemin tretës.

Mëposhtë do t’ju tregojmë mënyrën e saktë të përgatitjes së saj, ndaj ndiqeni për një vakt të shkëlqyeshëm në vetëm 20 minuta.

Përbërësit

200 gr qiqra të ziera

2 thelpinj hudhra

1 degë rozmarinë

2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete zgjidhni llojin e qiqrave që do të përdorni për recetën, të konservuara e të ziera paraprakisht apo ato të freskëtat.

Nëse i keni të pa ziera më parë kini parasysh t’i lini përgjatë natës në ujë në mënyrë që të zbuten e më pas shpëlajini dhe vendosini të zihen.

Kur të jenë zbutur paksa hiqini nga zjarri dhe bëjini gati për t’i gatuar.

Nëse keni qiqra të konservuara ato janë të ziera, mjafton t’i shpëlani pak me ujë dhe mund ta vazhdoni menjëherë me recetën.

Qëroni hudhrën duke e lënë në thelpinjë të plotë në mënyrë që të mund t’i hiqni në fund nëse nuk i preferoni.

Lani dhe prisni në fijë të holla dhe rozmarinën duke e lënë mënjanë.

Ndërkohë vendosni në zjarr një tigan, hidhni vajin e ullirit, hudhrën dhe lërini të ngrohen.

Shtoni qiqrat bashkë me rozmarinën përziejini për 2-3 minuta në zjarr derisa qiqrat të fillojnë të nxjerrin lëkurën e tyre të jashtme.

Më pas mund t’i hiqni nga zjarri dhe ti shërbeni të ngrohta, shoqeruar me pjata mishi apo sallata të ndryshme./AgroWeb.org