Specat e mbushur me mish të grirë, qepë e oriz janë ndër gatimet më popullore jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Specat e mbushur dhe të pjekur në furrë gatuhen në shtëpitë shqiptare të paktën një herë në javë.
Zakonisht amvisat shqiptare zgjedhin speca jeshilë e të mëdhenj për mbushje.
E njëjta praktikë ndiqet edhe nga vendet fqinje, por në Maqedoninë e Veriut, amvisat mbushin me mish e oriz edhe specat e tharë.
Speca Të Tharë Të Mbushur Me Mish e Oriz
Shija, për atë që e ka provuar gatimin në fjalë, është e mrekullueshme.
Përbërësit:
- 15-20 speca të tharë
- 400 gramë mish të grirë
- 200 gramë oriz
- 1 lugë çaji spec të kuq pluhur
- Një lugë çaji piper të zi pluhur
- 1 qepë
- 2 lugë gjelle erëza të përziera
- 1 lugë çaji majdanoz
- 4 gota ujë
- 1 filxhan çaji salcë domate
- Vaj gatimi
Përgatitja:
Në fillim, amvisat duhet të ziejnë specat e tharë që të mundësohet zbutja e tyre.
Më pas, specat duhen pastruar nga farat.
Vendosni një tigan në zjarr dhe kaurdisni qepën e grirë hollë e më pas shtoni mishin e grirë dhe erëzat.
Tiganisini për 10 minuta derisa mishi të jetë plotësisht i skuqur dhe i bërë.
Shtoni orizin dhe specin e kuq pluhur dhe në fund salcën e domates.
Mbushini specat një e nga një me anë të një luge çaji dhe më pas në grykën e specave mund të vendosni nga një fetë domate apo patateje.
Rreshtojini specat një e nga një në tepsi, shtoni pak ujë sa të mbulohen në gjysmë, pak salcë domate, pak vaj ulliri dhe futini në furrë të piqen në 250 gradë.
Pjekja quhet e përfunduar kur orizi të jetë plotësisht i gatuar.
Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që specat e tharë dhe më pas të zbutur me ujë kërkojnë më pak kohë për tu pjekur ndryshe nga specat e freskët./AgroWeb.org