Sallata e Proteinave – Fasule, Peshk Ton dhe Qepë

1.1k 0

Mund ta keni shijuar këtë sallatë thjesht me qepë dhe fasule, por AgroWeb.org ju tregon një mrecetë të re e cila i jep më shumë shije por edhe proteina.

Plot vlera, kjo pjatë është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur dhe nuk kërkon shumë përbërës.

Me disa sekrete të cilat ia pasurojnë shijen, siç është koha e duhur për të shtuar kripën apo koha e marinimit, ju do të mrekulloni familjarët tuaj.

Ndiqni këshillat e shpjeguara mëposhtë dhe provojeni që sot për të kënaqur nepsin me diçka të shëndetshme dhe që ju mban të ngopur gjatë.

Përbërësit

120g peshk ton (mund të përdorni konservat klasike me vaj ulliri)

170g qepë të kuqe

Kripë

250g fasule të bardha

30g vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur përgatitjen e kësaj recete filloni me përgatitjen e fasuleve.

Që të siguroni një zierje më të shpejtë AgroWeb.org ju këshillon që t’i lini gjatë natës në ujë.

Më pas kullojini nga uji dhe mbushini me ujë të freskët pa kripë për t’i zierë.

Vendosini për të zierë me kapak për të paktën 50 minuta, por mos harroni që t’i kontrolloni herë pas here pasi uji mund të avullojë.

Në fund mund të shtoni kripën për t’u dhënë shije fasuleve dhe t’i linin ë zjarr edhe për 3-4 minuta të tjera.

Tani kullojini nga uji fasulet e ziera dhe lërini që të ftohen ndërkohë që përgatisni përbërësit e tjerë.

Qepët e kuqe duke qenë se janë pak më të ëmbla nuk kanë djegësinë e qepëve të zakonshme.

Kjo shije pak e ëmbël i jep sallatës një tjetër përbërje dhe e bën më të kombinueshme me gatimet e tjera.

Qepët mjafton t’i qëroni dhe t’i grini në feta sa më të holla. Nëse nuk e dëshironi fare djegësinë e tyre mund t’i lini qepët e prera në ujë për të paktën 1 orë.

Kalojini ato në një tas të madh dhe shtoni aty fasulet e ftohura si dhe konservat e peshkut ton.

Jepini shije sallatës suaj me kripë sipas dëshirës dhe në fund spërkateni me vaj.

Pasi ta keni përzierë mirë lëreni të mbuluar me qese kuzhine në mënyrë që të marinohen mirë përbërësit.

Këtë sallatë mund ta konsumoni si pjesë të vaktit kryesor ose mund ta shoqëroni me pjatat e mishit./AgroWeb.org