Agjencia Europiane e Barnave: Të përdoren të gjitha vaksinat e autorizuara

321 0

Shtetet e Bashkimit Evropian duhet të përdorin të gjitha opsionet e vaksinave në dispozicion (të autorizuara) për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe është shumë herët të thuhet nëse një lloj i veçantë është më i mirë.

Ishte kjo këshilla që dha Agjencia Evropiane e Barnave, ndërsa disa vende kufizojnë përdorimin e vaksinave si AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, për shkak të rasteve me mpiksjet e rralla të gjakut dhe në vend të tyre zgjedhin vaksinat Pfizer dhe Moderna.

“Ne jemi akoma në një pandemi dhe është shumë e rëndësishme që në këtë luftë të përdorim të gjitha opsionet që kemi në dispozicion”, tha Marco Cavaleri, shefi i strategjisë së vaksinave të EMA.

Eksperti i Agjencisë shtoi se ishte “shumë e vështirë të thuash” se cili lloj i teknologjisë së vaksinave mund të rezultojë më dominues në të ardhmen, ndërkohë që të gjitha dozat ekzistuese kanë shpëtuar me mijëra jetë.

EMA aktualisht ka autorizuar katër vaksina: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe J&J.

Ndërsa, vaksina CureVac e Gjermanisë pësoi goditje kur rezultatet e testimit të ndërmjetëm treguan se ishte vetëm 47 përqind efektive.

Sa i përket përzierjes së vaksinave, ekspertet e EMA-s shprehen se, megjithëse përvoja e kaluar sugjeron që kjo praktikë mund të jetë efektive dhe madje edhe e dobishme, ende nuk ka prova të mjaftueshme lidhur me COVID-19 për të bërë një rekomandim specifik.