‘Pfizer’ në dispozicion të më shumë qytetarëve, shkak afrimi i skadencës

422 0

Rritja e sasisë së furnizimit, kushtet specifike të ruajtjes dhe afati i shkurtër i skadencës, mendohet se janë disa nga arsyet që çuan Ministrinë e Shëndetësisë drejt vendimit për zgjerimin e vaksinimit me Pfizer.

Vaksina Pfizer, përdorimi i të cilës fillimisht u kufizua vetëm për personat me probleme kronike në shëndet, po aplikohet më gjerësisht.

“Është zgjeruar gama e personave që mund ta përfitojnë, nuk do të thotë që është gjithmonë pa kriter, gjithsesi dhe një i shëndetshëm mund të vaksinohet me të, por duke pasur parasysh prioritarët, të sëmurët kronikë, personat më në risk. Dhe këtë e shikojnë mjekët e familjes. Gjykojnë në varësi dhe të sasisë që ato kanë,” – tha Erida Nelaj, shefe e sektorit të vaksinimit, pranë ISHP-së.

Kushtet specifike të ruajtjes së vaksinës Pfizer, fillimisht në temperatura -70 gradë, tashmë kanë ndryshuar. Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar qëndrimin e kësaj vaksine për një muaj në temperaturat +2, +8 gradë. Megjithatë ka ende vende ku këto kushte nuk garantohen dhe kjo vaksinë nuk gjendet, siç ndodh te sheshi “Skënderbej”.

Vaksina Pfizer është vaksina me afatin më të shkurtër të skadencës, nga vaksinat e ardhura deri tani në Shqipëri.

“Pfizer edhe Moderna që ne nuk e kemi, nuk kanë afate shumë të gjata skadence .Të paktën gjithmonë ne kemi avancë tre-katër muaj përpara afatit përfundimtar të skadencës kur ne i marrim. Coronavac ka skadencën më të gjatë, deri në 2022. AstraZeneca, sasia që kemi marrë ka një afat deri në fund të tetorit,” – u shpreh Nelaj.

Muaji gusht është muaj i hapur i vaksinimit për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Vaksinat po kryhen në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit.

Autoritetet bëjnë thirrje për marrjen e dozës së parë, gjatë këtij muaji, me qëllim marrjen e së dytës në shtator, kur me gjasa numri i infektimeve pritet të shënojë rritje./Burimi:Euronews