Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19 ka rezultuar fatale për një pjesë të madhe të aktiviteteve ekonomike në vend, por për disa sektorë ka sjellë mundësi dhe fitime.

Frenimi i shpenzimeve për disa mallra dhe shërbime jo jetike e ka çuar cash-in në industrinë ushqimore dhe gjithë zinxhirit të saj.

Përkundër zhvillimeve të përgjithshme ekonomike, shitjet dhe konsumi i ushqimeve janë rritur këtë vit.

Kërkesa më e lartë, sidomos për prodhime bujqësore të freskëta, bashkë me një sezon të mbarë, ka rritur fitimet për fermerët shqiptarë në këtë vit të vështirë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se eksporti i ushqimeve dhe pijeve, gjatë periudhës janar-tetor 2010, është rritur me 10% në krahasim me 2019, duke arritur vlerën e 32 miliardë lekëve (257 milionë euro).

Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh në 9 grupet e eksportit, duke zënë 14% totalit të totalit.

Rezultatet pozitive u udhëhoqën nga shitjet e perimeve, të cilat shënuan rritje vjetore me 14% në 10-mujor duke arritur vlerën e 7.4 miliardë lekëve, ose 60 milionë eurove.

 

Rritje në kulmin e krizës

Prodhimet tipike të fushës, si domatja, bostanorët dhe kastraveci shënuan rritje dyshifrore të eksporteve gjatë 10-mujorit 2020 në raport me një vit më parë, në kulmin e një krize ekonomike të pashoqe.

Në dekadën e fundit, eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme të larta prej bazës së ulët, rritjes së kërkesës në tregjet e huaja dhe prodhimit më të hershëm sezonal në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe këtë vit të vështirë, ritmet e rritjes së eksporteve bujqësore nuk kanë ndalur.

Kërkesa për ushqime nuk u prek nga pandemia, përkundrazi ka shënuar rritje dhe, nga ana tjetër, fermerët po rrisin kualitetin e prodhimeve.

Fermeri Stavri Gjini nga zona e Myzeqesë, zona më prodhuese në vend, pohon se pandemia nuk e ka ndërprerë asnjë ditë punën në fushë.

Gjini thotë se kualiteti i farave dhe fidanëve, si dhe plehrave është përmirësuar dhe për rrjedhojë, shitjet këtë vit ishin më të larta.

Zoti Gogo, i cili prej vitesh operon në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore, shprehet se, pavarësisht vështirësive është rritur bashkëpunimi në zinxhirin e bujqësisë.

“Ne i këshillojmë dhe i asistojmë, madje i furnizojmë fermerët me të cilët bashkëpunojmë me fidanë dhe plehra me qëllim që të përfitojmë prodhimet cilësore që Europa kërkon”, tha ai.

Dy vitet e fundit, cilësia e prodhimeve është përmirësuar dukshëm pas disa incidenteve që u shfaqën vitet e kaluara ku prej dyshimeve, për cilësinë, disa kamionë u kthyen në pikat kufitare.

Ky vit ka qenë i mbarë edhe nga kushtet klimatike, të cilat kanë favorizuar prodhimet në fusha përtej sezonit normal. Vitet e tjera nuk ishte e zakontë të rriteshin domate në fushë në tetor.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019 dhe me 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Me ritme të ngjashme u rritën edhe eksportet e frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019.

Përveç frutave dhe perimeve të freskëta, vihet re rritje me ritme të larta edhe në zarzavatet dhe frutat e përpunuara.

Ndonëse të ulëta në vlerë, me vetëm 19 milionë euro, eksportet e prodhimeve bujqësore të përpunuara u rritën me 22%.

Pandemia ka nxitur të ushqyerit e shëndetshëm në të gjithë botën. Regjimi i kontrolluar ushqimor me fruta e perime të freskëta dhe çajet janë parë si profilaktike për të forcuar imunitetin.

Kjo tendencë e ka mbajtur kërkesën për ushqime të qëndrueshme, në një kohë që kërkesa për mallra të tjerë joushqimore ka pësuar rënie./Burimi:Monitor