Cili Ka Qenë Produkti Më I Konsumuar Gjatë Pandemisë?

604 0

2020-a ishte një vit ndryshe nga të tjerët. Pandemia e koronavirusit ndryshoi sjelljen e konsumatorit dhe tendencën për shpenzime.

Sipas të dhënave të INSTAT, në 2020, importet e artikujve ushqimorë, preparateve larëse, mobilieve, bizhuterive u rritën krahasuar me vitin 2019.

Importi i kafesë, cigareve, pijeve alkoolike dhe orëve pësoi rënie.

Aktorët kryesorë të tregut raportojnë se në 2020, nga produktet ushqimore u shit më shumë mielli, makaronat, vaji dhe drithërat e shëndetshme.

Në konsum shënuan rënie vetëm pijet alkoolike dhe birrat e importit, për shkak të moslejimit të dasmave, festave dhe nga mbyllja e klubeve të natës.

Tendenca e shpenzimeve ishte komplekse, pasi për disa produkte, blerjet nuk duken intuitive me krizën dhe pasigurinë ekonomike të krijuar nga COVID-19.

Kërkesa është rritur edhe për bizhuteritë me çmime mbi 1,000 euro dhe ora të shtrenjta zvicerane. Vitin e kaluar janë shitur 5% më shumë bizhuteri se në 2019-n.

Mospërputhja e sjelljes së konsumatorit me krizën e COVID-19 shpjegohet nga drejtuesit e argjendarive në Tiranë me ndalimin e lëvizjeve jashtë vendit dhe individët kanë pasur më shumë para në dorë për blerje brenda Shqipërisë.

Sipas kompanive kryesore të tregtisë me shumicë dhe pakicë në vend, shitjet e detergjentëve në 20 ditët e para të marsit shënuan rritje me 50%.

Ndryshe nga çfarë ndodhi në fillim të pandemisë nga COVID-19, aktualisht kompanitë raportojnë se në vitin 2020, detergjentët dhe produktet e higjienës në total u shitën 8% më shumë se në 2019.

Importet e grupit Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” arritën një rekord historik në 2020-n, sipas INSTAT.

Produktet e shportës, më shumë bukë, vaj e sheqer

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet për vajin, drithërat dhe sheqernat në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë janë rritur. Importi i vajit u rrit 19,6% pas një rënie të lehtë në 2019-n. Edhe importi i drithërave ka qenë me rritje 4,3% në 2020, pas një ulje në 2019. Rritje të importeve shënuan edhe grupi i “sheqernave dhe ëmbëlsirat prej tij” rreth 14% në krahasim me 2019.

Kompanitë më të mëdha të tregtimit të mallrave të shportës thonë se në rritjen e konsumit për 2020 ndikuan muajt e karantinës dhe festat e fundvitit. Në muajt mars-maj, konsumi për shumë produkte bazike shënoi rritje nga 28% deri në 170%. Drejtoresha e financës në kompaninë “Teuta”, Junis Uruçi, tha se konsumi për të gjitha produktet e shportës në 2020 u rrit 15% më shumë se në 2019. Për produktet si miell, maja, vaj dhe drithëra, konsumi më i lartë ishte në muajt e karantinës.

Arsyeja e rritjes së shitjeve, siç shpjegoi zonja Uruçi, ishte frika dhe pasiguria e vazhdimit të karantinës, ndaj dhe familjet shqiptare krijuan rezerva ushqimore.

Kërkesa për këto mallra vazhdoi të ishte e madhe edhe në verë, sidomos për produkte si makaronat që shënuan rritje më të lartë të konsumit pas hapjes së ekonomisë. Ndikim në rritjen e konsumit pati edhe hapja e restoranteve dhe hoteleve.

“Rritja vjetore e konsumit të produktit kryesor të kompanisë, që është orizi, në vitin 2020 ishte 2,4% krahasuar me 2019.

Ky produkt u konsumua më shumë në muajt mars-maj, me rritje 28% kur popullata ishte në karantinë.

Efekti ishte nga izolimi, pasi konsumatorët kanë blerë rezerva më shumë se normalisht.

Në muajt e verës pati rënie, për shkak të mungesës së turistëve të huaj. Efekti rënës është edhe sezonal pasi si produkt nuk pëlqehet shumë në këtë stinë. Në tremujorin e fundit të vitit, konsumi i orizit u rrit 2,4%.

Në këtë periudhë rritet gjithnjë konsumi i produkteve të shportës, për shkak të festave të fundvitit.

Konsumi i sheqerit u rrit 8% për 2020. Rritja në karantinë ishte rreth 40%.

Trendi i konsumit për mallrat e shportës ka qenë i njëjtë, rritje të lartë në karantinë dhe më të lehtë në muajt e verës dhe dimrit”.

Znj. Uruçi tha se konsumi vjetor i vajit shënoi rritje 30%. “Në karantinë, konsumi për vaj luledielli, misri dhe ulliri ishte shumë më tepër se 80%. Shitja më e madhe në karantinë ishte për produktin e miellit, që u rrit 170%. Arsyeja ishte që shumë familje në këtë periudhë filluan të gatuanin vetë bukën, pasi edhe majaja pati rritje 100%.

Për makaronat, rritja më e madhe e konsumit u shënua në muajt e verës me 79%. Hapja e restoranteve dhe hoteleve ndikoi te rritja e kërkesës për këtë produkt. Rritje është shënuar edhe te konsumi i fasuleve dhe thjerrëzave me 39% dhe drithërat e shëndetshme, si: quinoa, kus-kus, bullgur, tërshërë me 74%. Konsumi i biskotave ka shënuar rritje të lehtë me 2%”./Burimi:Monitor