Prodhuesit Shqiptarë të Fruta-Perimeve Pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar

808 0

Shqipëria falë klimës dhe territorit të favorshëm ka mundësinë që të kultivojë një shumëllojshmëri produktesh.

Sipas një raporti të fundit të INSTAT, janë publikuar shifrat e prodhimit të pemëve frutore dhe u karakterizua nga një rritje prej 7.6 % krahasuar me një vit më parë.

“Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore arrihet në zonën jug-lindore të vendit, në qarkun e Korçës, duke u pasuar nga Elbasani, Fieri, Berati ndërsa Gjirokastra, Lezha dhe Vlora shënojnë nivelet më të ulëta të prodhimit të pemëve frutore”, thuhet në raport.

Gjithashtu produkti që pati një rritje të dukshme ishte ulliri.

“Sasia më e lartë e prodhimit të ullirit në Shqipëri është e përqendruar në zonat bregdetare dhe fushore me kushte klimatike mesdhetare: në qarkun Fier, Berat, Elbasan dhe Vlore. Zonat verilindore, me klimë të ftohtë, si qarqet Kukës, Korçë dhe Dibër, nuk janë zona të kultivimit të ullirit. Këto zona paraqiten në hartë me ngjyrë më të hapur”, thuhet në raportin e INSTAT-it

Fermerët shqiptarë i shohin panairet ndërkombëtare si mundësi për gjetjen e tregjeve të reja për eksport të produkteve tona.

Prodhuesit shqiptarë të fruta-perimeve, kanë rritur interesin në promovimin e prodhimeve bujqësore “Made in Albania” në Panairi Ndërkombëtar “FRESKON Trade Show”.

Panairi do të zhvillohet nga data 2 deri 4 prill 2020, në Selanik, Greqi.

Ky është edicioni i 6-të i panairit “FRESKON Trade Show”.

Eventi ka si fokus parësor promovimin e produkteve të frutave dhe perimeve të freskëta.

Kompanitë pjesëmarrëse do të ekspozojnë produktet e tyre në panair.

Në të njëjtën kohë, panairi do të presë ekspozues ndërkombëtarë që paraqesin teknologjinë më të fundit të frutave, perimeve, logjistikës, makinerive dhe materialeve të paketimit.

FRESKON është një mjet kryesor për rritjen e tregtisë së ndërmarrjeve të frutave dhe perimeve të freskëta, në rajon e më gjerë, drejt tregut global.

Gjatë ngjarjes, ekspozuesit do të takohen me përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë, bizneset tregtare dhe rrjetet e kompanive shpërndarëse.

Pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësi jo vetëm të promovojnë produktet e tyre, por dhe të zgjerojnë kontaktet, vendosin partneritete të reja, diversifikojnë tregjet dhe shkëmbejnë përvojat./Burimi: ATSh