Rritje e Prodhimit të Frutave – Qytetet që Mbajnë Vendin e Parë

399 0

Prodhimi i frutave dhe primeve shënoi rritje të zbehtë vitin e kaluar edhe pse eksportet për dy grupet shënuan rritje dyshifrore.

Në vitin 2020, prodhimi i perimeve është 1.295.726 tonë, duke shënuar rritje vjetore me 2,99 %, krahasuar me vitin 2019. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 506.531 tonë, Berat me 131.735 tonë dhe Tiranë me 130.001 tonë.

Perimet e njoma përfaqësojnë 67,5 % të perimeve gjithsej ndjekur nga bostanoret me 23,07 % dhe perimet e thata me 9,4 %.

Në vitin 2020, u prodhuan 874.947 tonë perime të njoma duke shënuar rritje prej 5,07 %, ndërsa prodhimi i bostanoreve dhe perimeve të thata kanë pësuar një ulje të lehtë, respektivisht 0,51 % dhe 2,38 %, krahasuar me vitin 2019.

Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja me 35,79 %, kastraveci 12,99 % dhe speci 11,78 %.

Në perimet e thata, qepa e thatë përfaqëson 85,59 % ndaj prodhimit gjithsej, ndërsa në prodhimin e bostanoreve shalqini përfaqëson 83,22 % të prodhimit. Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21,81 % të prodhimit gjithsej të perimeve nga ku 50,86 % e këtij prodhimi i përket Qarkut Fier.

Në vitin 2020, prodhimi në serra është rritur me 5,18 %, krahasuar me një vit më parë, qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 64,81 % dhe Fieri 28,37 %, përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Korçë dhe Dibër me 0,16 % dhe 0.35 %.

Drithërat rritje me 2,6%

Prodhimi i drithërave në vitin 2020 është 684.023 tonë, duke shënuar rritje me 2,61 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 170.229 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 99.858 tonë dhe Korçë me 78.801 tonë.

Në vitin 2020, prodhimi i patates është 254.886 tonë, duke u ulur me 2,22 %, në krahasim me vitin 2019. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit të patates në vend janë, Korça me 59.316 tonë, Fieri me 50.146 tonë dhe Elbasani me 28.684 tonë.

Frutat, prodhimi u rrit me vetëm 0.4%

Drufrutorët Prodhimi i drufrutorëve përfaqësohet nga prodhimi i pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe rrushit.

Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2020 është 273.749 tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 82.007 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 38.470 tonë dhe Fier me 33.829 tonë. Grupi i pemëve frutore me farë zë 44,41 % të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 84,03 %. Qarku i Korçës zë 83,14 % të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.

Në grupin e pemëve frutore me bërthamë, peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 47,55 % të prodhimit të këtij grupi, pasuar nga pjeshkët me 23,25 % dhe qershitë me 23,34%. Në grupin e pemëve frutore subtropikale, peshë kryesore zë prodhimi i fiqve me 50,34 % pasuar nga shegët me 16,15 %.

Prodhimi më i lartë për pemët frutore arrore është shënuar në Qarkun e Kukësit, peshën kryesore e zënë arrat me 43,69 %, pasuar nga gështenjat me 37,46 %. Në vitin 2020, u prodhuan 131.971 tonë ullinj, duke shënuar rritje me 34,24 % krahasuar me një vit më parë.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 35.854 tonë pasuar nga qarqet Berat me 33.082 tonë dhe Elbasan me 22.764 tonë. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 82,22 % të prodhimit total dhe varietet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 17,78 %.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2020 është 49.201 tonë me një rritje prej 4,95 %, krahasuar me një vit më parë, ku 65,36 % të prodhimit gjithsej të agrumeve e zënë mandarinat. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve është shënuar në qarkun e Vlorës me 66,05 % (32.497 tonë). Në 2020, prodhimi i rrushit është 199.070 tonë duke shënuar një rritje me 4,83 %, krahasuar me një vit më parë, ky prodhim përfaqësohet nga rrushi i vreshtave me 59,68 % dhe rrushi i pjergullave me 40,32 %./Burimi:Monitor