Kultura e Peshkimit – Mes Produkteve Dominon Karkaleci i Thellësisë Dhe Merluci

548 0

Flotat e peshkimit në vitin 2020 peshuan rritje dhe po kështu edhe zënia e peshkut. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për ecurinë e peshkimit në vend për vitin e shkruar tregojnë se zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 16.892 tonë nga 15.011 tonë që ishte në vitin 2019, duke shënuar një rritje me 12,5 %. Tek speciet e peshkut të zëna më masivisht në det të hapur, laguna dominon karkaleci i thellësisë dhe merluci.

Struktura e zënieve sipas kategorive ujore

“Kategoritë ujore të peshkimit janë: det, bregdet, laguna, ujëra të brendshme, akuakulturë dhe molusqe. Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 52,09 % dhe peshkimi “Detar” me 26,76 %, pasuar nga “Ujërat e brendshme” me 16,83 %, ndaj prodhimit gjithsej

Ndryshimet vjetore të zënieve sipas kategorive ujore

Në vitin 2020, rritjen më të madhe e ka shënuar kategoria “Akuakultura” me 68,3 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 6,6 % dhe kategoria “Ujërat e brendshme” me 2,6 %. Kategoria ujore “Molusqe” ka pësuar rënie me 73,47 % në vitin 2020, krahasuar me një vit më parë, pasuar nga kategoria “Peshkimi Detar” me 17,78 %.

Zëniet sipas specieve kryesore

Në vitin 2020, për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Karkaleci i thellësisë” me 20,7 % ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Merluc” me 15,1 % dhe “Sardele” me 7,7 %. Përsa i përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Krap” ka përqindjen më të madhe të zënieve gjithsej, me 23,66 %, pasuar nga “Skorta” me 20,75 % dhe specia “Karas” me 17,93 %

Flota detare

Në vitin 2020, janë 720 subjekte të liçencuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 69 subjekte më shumë se një vit më parë.

Flota detare sipas porteve të peshkimit

Në vitin 2020, porti me numrin më të madh të anijeve të liçencuara është porti i Durrësit, me 37,78 % të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 31,81 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 14,31 %.

Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të liçencuara për peshkim janë ato të, Lushnje-Fier me 2,22 % dhe Himarës me 1,25

Flota detare sipas llojit të anijes

Flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 68,75 % si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike), me 26,53 %, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera

Prodhimi i rasateve

Një fokus të veçantë po i kushtohet ripopullimit të specieve si Koran, Krap dhe Ballgjerë i bardhë si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit. Në vitin 2020 u prodhuan dhe hodhën në liqenin e Ohrit 1,6 milion rasate të Koranit ose rreth 8 % më shumë se në vitin 2019”./Burimi:Monitor