Të punosh në pandemi, si po ndikohet produktiviteti te shqiptarët, sektorët më të prekur

433 0

Pandemia i sprovoi bizneset, duke kërkuar përshtatjen e tyre për të vijuar aktivitetin. Për punonjësit, faza fillestare u përjetua në forma të ndryshme. Disa për hir të mundësive mund të vazhdonin punën nga shtëpia dhe u përshtatën menjëherë madje duke qenë edhe më produktivë. Të tjerë u alternuan mes zyrës dhe shtëpisë sipas rastit e një grup tjetër, nuk kishin zgjidhje përveçse të vazhdonin rutinën e para pandemisë, por me masa shtesë dhe distanca brenda ambienteve të punës.

Prej një viti po jetojmë me COVID-19 dhe është më e thjeshtë të analizohen efektet e pandemisë te produktiviteti në punë. Së pari, në raportin punë nga shtëpia apo nga zyra, tregu shqiptar tregoi se mund të përshtatet, por puna në distancë nuk mund ta zëvendësojë atë nga zyra. Kjo lidhet me kulturën ku ende përqafimi i modeleve të punës në distancë është shumë pak i pranishëm, po edhe me faktin se bizneset apo kompanitë ende nuk kanë të ngritura të gjitha sistemet e brendshme teknologjike që do t’ju mundësonin koordinim më të mirë të gjithë hallkave.

Banesat nuk janë të konceptuara të gjitha me studio të dedikuar për punë nga shtëpia. Prania e familjarëve dhe sidomos fëmijëve ka bërë që veçanërisht prindërit me fëmijë të jenë mes punës dhe prindërimit në të njëjtën kohë, duke pasur rënie të produktivitetit. Ky i fundit ka shënuar rënie edhe kur sheh mungesat në staf për shkak të infektimeve. Prania e një hallke, por mungesa e një tjetre për shkak të pamundësisë shëndetësore ka lënë pezull apo ka zgjatur procedurat dhe kjo ka bërë që objektivat të mos kapen sipas afateve të përcaktuara.

Një element tjetër që duket se ka ndikuar produktivitetin e punonjësve ka qenë edhe pesimizmi për situatën, frika nga infektimi, apo humbja e njerëzve të dashur, çka konfirmohet edhe nga administratorët e kompanive. Edhe pse puna dhe sigurimi i të ardhurave është jetike, një pjesë edhe e kanë braktisur atë nën frikën e pandemisë e të tjerë e kanë parë si formë reflektimi për të lënë pozicionin që kanë e për të kërkuar një më të mirëpaguar duke emigruar jashtë Shqipërisë. Por si paraqitet sot puna dhe produktiviteti i saj sipas sektorëve nga fasonët tek ndërtimi tek industria përpunuese.

Pandemia frenoi produktivitetin në bujqësi, por sërish më mirë se një pjesë e sektorëve

Bujqësia nuk mund të ishte e izoluar nga kushtet e pandemisë. Hallkat e saj nuk lidhen vetëm me prodhimin, i cili zhvillohet në ambiente të hapura, apo sera të mëdha ku rreziku i infektimit është më i ulët, por dhe me elemente të tjera, si koha për të arritur tregjet, mundësia për të siguruar grumbullues.

Ndaj edhe pse në disa aspekte, bujqësia ka qenë më e favorizuar në kushtet e pandemisë sesa shumë sektorë të tjerë, ajo ka punuar e frenuar dhe nën potencial. Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, nënvizon pikërisht këto elemente frenuese.

“Bujqësia ka pasur frenime për shkak të pandemisë, por në raport me sektorët e tjerë, është më mirë në të gjithë treguesit e saj. Kjo lidhet ndoshta edhe me mundësinë e kohës më të madhe të shfrytëzuar në bujqësi, në kushtet kur për sektorët e tjerë, masat kufizuese i preknin më shumë për shkak edhe të natyrës së aktivitetit. Edhe te bujqësia, këto masa kufizuese e kanë dhënë një lloj efekti, pasi kanë ndikuar tek rritja e kostos së prodhimit, që ka ardhur si rezultat i uljes së rendimentit në shumë produkte dhe ferma.

Pandemia ka pasur ndikim edhe në gjetjen e fuqisë punëtore në momentet e pikut. Ka pasur mangësi për shumë arsye, ku ndër më kryesoret është edhe COVID-19. Janë hasur probleme edhe në shitjen e tepricave të produkteve për arsye të kufizimit të lëvizjeve” pohon Rrapaj.

Sipas tij, nuk është vënë re rënie e kërkesës apo konsumit për produktet bujqësore, pasi ato janë të lidhura me jetesën e përditshme dhe ndoshta mund të kursehet nga shumë aspekte të tjera, por jo tek ushqyerja. Lidhur me investimet në sektor ato janë lënë pezull, në pritje të kushteve, ndërkohë që nuk ka braktisje të sektorit.

“Sa u takon investimeve në sektor, ato vetëm mund të jenë ngadalësuar, por nuk janë braktisur. Ka vështirësi në procese të ndryshme, që lidhen me investimet në bujqësi por nuk ka lëvizje për t’u larguar nga sektori.
Në tërësi, te zinxhiri ushqimor, rënie ka blegtoria, pasi shihet tkurrje e numrit të krerëve, ndërkohë që është rritur importi i qumështit të freskët dhe kosto e ushqimeve për blegtorinë.

Kjo tendencë është në mbarë botën, jo vetëm në Shqipëri. Peshkimi dhe akuakultura kanë ecur më mirë dhe kjo lidhet me faktin që ka pasur më shumë mbështetje nga qeveria. Më shumë peshkimi, siç është politika për naftën apo lehtësi të tjera fiskale. Nisma e fundit për naftën në bujqësi është pozitive dhe sigurisht që do të japë efekt por kjo do të shihet pas një viti, nuk është e menjëhershme.

Mbështetja e bujqësisë me politika për të përballuar pandeminë nuk ka qenë shumë e dukshme. Ajo madje mbeti jashtë paketave ndërkohë që në tërësi, financimet që merr bujqësia asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të përballuar problematikat me të cilat ndeshet, sidomos tre më të fundit duke nisur nga tërmeti i 2019-s, te pandemia e së fundmi te përmbytjet apo thatësira.

Pjesa që është përmbytur do të ketë dëme të mëdha dhe një pjesë e mirë e fermave do të kenë shpenzime ekstra për përmirësimin e situatës së tokës për ta sjellë atë në gjendje normale kultivimi, si dhe mbjellja nga e para me kultura do të jetë sërish kosto” – shprehet Rrapaj./Burimi:Monitor