Agresiviteti i COVID-19 vijon të rritet në Shqipëri dhe këtë e tregojnë rastet e reja dhe numri i pacientëve, të cilët ndërrojnë jetë për shkak të komplikacioneve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë në përditësimin e saj theksoi se në 24 orët e fundit janë konstatuar 117 raste të reja, ndërsa 6 qytetarë kanë humbur jetën.

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP-së, Eugena Tomini tha në Euronews Albania se ditët e fundit, po konstatohet një përhapjen e dendur komunitare e rasteve me COVID-19. Sipas saj, virusi po shoqërohet me simptoma agresive dhe kjo është vënë re edhe tek grupmoshat e reja.

Transmetimi Komunitar

“Aktualisht në Shqipëri ka një transmetim komunitar, që do të thotë se kemi një transmetim të dendur dhe situatë serioze të paraqitjes së rasteve të COVID-19. Kemi transmetueshmëri të virusit, kemi prezencë të simptomave në mënyrë agresive dhe një situatë klinike serioze. Kjo është vënë re edhe tek grupmoshat e reja”, u shpreh ajo.

Ekpsertja e shëndetit u shpreh se simptomat aktuale të COVID-19 janë më agresive në krahasim me fillimin e epidemisë. Zonja Tomini tha se duke parë rastet aktuale, projeksionet tregojnë se ky trend i ashpërsisë së COVID-19 mund të vazhdojë të paktën edhe në tre javët e ardhshme.

“Kjo simptomatologji që është më agresive se në javët e para të pandemisë kur ne ishim edhe në një ndarje të theksuar mes njëri tjetrit për shkak të karantinës, sigurisht tani kjo është më e ashpër dhe pavarësisht parashikimeve që gjatë sezonit veror u parashikua një ulje, COVID-i ka paraqitur një tendencë në rritje të paktën në shtatë javët e fundit.

Në tre javët e fundit kemi një intensitet të lartë të shfaqjeve së rasteve. Duke parë edhe transmetimin komunitar, projeksionet mund të themi se edhe në tre javët në vijim do të kemi të njëjtin trend të COVID-19”, shtoi ajo.

Struktrurat në Gatishmëri 

Duke treguar situatën në dy spitalet COVID në vend, znj. Tomini theksoi se strukturat janë në gatimshëri të plotë për të ndihmuar çdo qytetar të infektuar, i cili ka nevojë për trajtim klinik.

“Dy spitalet COVID janë me kapacitet të plotë për t’iu përgjigjur rasteve. Janë të dy spitalet në alert për të pritur pacientët. Duhet të forcojmë ndërgjegjësimin tek vetja për të respektuar masat e thjeshta dhe vendosjen e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura.

Nuk mund të themi për një mbyllje totale. Deri në këto momente ka numër shtretërish, ka respiratorë, janë rreth 256 respiratorë në gatishmëri dhe situata po monitorohet hap pas hapi”, theksoi ajo./Euronews Albania