Çfarë mund të bëjmë ne për të parandaluar zjarret?

482 0

Teksa zjarret në mbarë globin po bëhen më të shpeshta dhe me pasoja më të rënda, është shumë e rëndësishme të dimë se çfarë mund të bëjë secili prej nesh për t’i parandaluar ato.

Korriku ishte muaji më i nxehtë në botë, me flakë që shkatërruan zona të mëdha në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Turqi, Greqi dhe vendin tonë. Teksa incidentet e zjarrit rriten, departamentet e zjarrfikësve në mbarë botën kanë publikuar këshilla për njerëzit që vizitojnë zonat pranë zjarreve.

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 90% e zjarrvënieve janë shkaktuar nga njerëzit.

Mbajini larg automjetet nga bari i thatë

Tubi i shkarkimit të makinës mund të arrijë temperatura deri në 600 gradë Celcius. Shmangni zonat e thata dhe realizojini udhëtimet tuaja në rrugë të asfaltuara.

Mirëmbajtja jo e mirë e makinës në verë mund të krijojë gjithashtu një risk për shkëndija ose rrjedhje karburanti, duke krijuar fillimin dhe shpërndarjen e zjarreve.

Gatuani në mënyrë të sigurt

Nëse gatuani me soba nëpër kampe të hapura ekziston shumë mundësia që të provokoni një zjarr.

Sidoqoftë, nëse vendosni të jeni tradicionalë dhe të ndizni një zjarr në tokë, sigurohuni që ta rrethoni zonën me gurë për të parandaluar shpërndarjen, ndërsa para se të largoheni kontrolloni nëse ka ngelur prush.

Fikini cigaret në vende të sigurta

Risku që të shkaktoni një zjarr nga një cigare nuk është vetëm skenë filmash, por fare lehtë e realizueshme edhe në jetën reale.

Darkat me qirinj romantikë në zonat jashtë mund të duken një ide e mirë, por sigurohuni që të jeni vigjlent se ku i ndizni.

Mos ndizni fishekzjarre

Po festoni? Provoni të përdorni topat me dritat e diskove në vend të fishekzjarreve. Edhe një kapsoll i vogël mund të kapë temperatura deri në 2000 gradë Celcius, duke krijuar riskun për zjarr.

Vitin e kaluar një zjarr i madh në Los Angeles u shkaktua pikërisht nga një fishekzjarr i cili u përdor për në një festë për zbulimin e gjinisë së një fëmije.

Shumica e zjarreve që shkaktohen nga fishekzjarret ndodhin gjatë festimeve të 4 korrikut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose Natën e Vitit të Ri. Nëse zgjidhni të ndizni fishekzjarre sigurohuni që të siguroni zonën, shmangni barin e thatë dhe shihni nëse kanë ngelur mbetje të ndezura.

Mos i lini shishet e qelqit përtokë

Është e rëndësishme të mos hedhim asnjë lloj mbetje në tokë dhe të mbledhim gjithçka pasi mbarojmë një piknik.

Departamentet e zjarrfikësve në botë bëjnë thirrje që veçanërisht të mos lëmë shishet e qelqit përtokë. Qelqi mund të marrë nxehtësi ekstreme kur reflektohet në diell, andaj është me rrezikshmëri të lartë për krijimin e një vatre zjarri.

Shkencëtarët mendojnë se nxehtësia ekstreme është shkaktari kryesor për zjarret dhe praktikat e mbrojtjes individuale mund të luajnë një rol të madh në parandalimin e tyre./Burimi:Euronews